Basha në Lushnje: Qeveria rrit borxhin për të mbuluar vjedhjet. Rritja e taksave nuk çoi në rritje investimesh

20/05/2015 00:00

Me të rinjtë e Lushnjes, Lulzim Basha ndau shqetësimin se rritja e borxhit  nga qeveria me rreth 700 milionë dollarë në më pak se dy vjet nuk u përkthye as në investime dhe as shërbime ndaj qytetarëve.

Sipas kreut të opozitës, sa më shumë ka rritur borxhin dhe sa më shumë ka rritur taksat, aq më shumë qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave, një tregues ky direkt i rritjes së korrupsionit.

“I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh”- tha Basha.

Nga Lushnja, kreu i opozitës gjeti rastin t’u përgjigjet kundërshtarëve dhe kritikëve përse ai po bën një fushate thellësisht politike dhe pse kryeministri, në vend që të punojë, sulmon opozitën.

“Sulmet ndaj opozitës, sulmet ndaj meje çfarë tregojnë? Se nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për ju. Thonë Basha flet për taksën e sheshtë e për rritje të rrogave e të pensioneve e për ulje e çmimit të energjisë por ky nuk është momenti i duhur. Po kur është momenti i duhur, në qoftë se nuk është sot, kur papunësia rinore ka arritur 40%, kur papunësia kombëtare është 20%, kur mjerimi është pesëfishuar, kur çmimet janë rritur, kur nafta është më e shtrenja në Europë, kur energjia elektrike është kthyer në një makth për çdo familje?! Cilat janë prioritete, nëse jo këto çështje?!”- shtoi Basha.

Në të gjitha takimet me rininë, bashkë me zgjidhjen e çështjes së energjisë, një premtim i pandryshueshëm është edhe lehtësimi për studimet universitare.

“Në 21 qershor, këta nuk i kanë kartonat, kartonat i ka populli dhe me kartonat e popullit ne do ta ulim 25% çmimin e energjisë dhe do falim kamatë-vonesat për të gjithë shqiptarët. Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin me taksën më të ulët në Ballkan. Uljen e tarifave për të gjitha universitetet dhe për të rihapur filialet e universiteteve publike kudo ku ato janë mbyllur”- deklaroi Basha.

Në programin lokal të kandidatit të opozitës në Lushnje, Dariel Xhindoli dhe të programit të Partisë Demokratike në rang kombëtar, punësimi zë vendin e parë.

“Do stimulojmë çdo biznes që merr në punë të rinj, do stimulojmë të rinjtë për hapjen e bizneseve të reja me anë të kredive dhe fondeve rezervë të bashkisë”- deklaroi kandidati Xhindoli.

“E pra, sot ju them se për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të larta, për punë dhe dinjitet. Asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto!”- plotësoi kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Top Channel