Prezantohet platforma për biznesin, Veliaj: Pres Kosovën në debat, të enjten

20/05/2015 00:00

Erion Veliaj, gjatë prezantimit të kontratës së tij me biznesin për bashkinë më të madhe të vendit, ka ftuar kanditatin e opozitës, që të jenë bashkë në një debat publik në televizionin më të madh të vendit, ditën e enjte, për të diskutuar mbi platformat e tyre elektorale.

“Më vjen mirë që pas tri javësh kërkesë ditore, të martën kemi marrë një gjysmë ‘po’-je nga kandidati tjetër për të pasur një debat. Ky është një lajm shumë i mirë dhe meriton duartrokitje. Madje, për ta marrë këtë gjysmë si një ‘po’ të plotë jam gati ta pres kandidatin tjetër të enjten në 21:00 në televizionin më të madh të Shqipërisë, për të folur konkretisht edhe për kontratën që do të publikojmë sot me biznesin e vogël dhe të mesëm, edhe për kontratën e paraqitur dje me mësuesit dhe prindërit, edhe për kontratën me të rinjtë të para dy ditëve, por edhe për 12 projektet madhore, që ne propozojmë për infrastukturën e Tiranës”, është shprehur Erion Veliaj.

Një ftesë kjo e përsëritur nga Veliaj, por që këtë radhë vjen pas pranimit që kandidati Halim Kosova i bëri debatit për projektet, për herë të parë vetëm një ditë më parë.

Duke u kthyer te platforma e tij, Veliaj nënvizoi se mbi 90% e të punësuarve në kryeqytet janë pjesë e bizneseve të vogla e të mesme, çka do të thotë që për bashkinë e ardhshme, ata do të kenë një rol të rëndësishëm.

Veliaj tha se do të vendoset një kuotë 30% për shpërndarjen vjetore të kontratave dhe prokurimeve në këtë sektor, si dhe do të ketë lehtësim të procedurave për taksimin, apo për dhënien e lejeve dhe licencave.

“Është një kuotë 30% e kontratave dhe prokurimeve të bashkisë për bizneset e vogla dhe të mesme. Pse e kemi vendosur këtë kuotë? Për shkak se besojmë se, ashtu siç jo pa arsye lexova statistikat, që punësimi më i madh ndodh te biznesi i vogël dhe i mesëm. Paraja publike, që investohet ose prokurohet te biznesi i vogël dhe i mesëm, shkon menjëherë në ekonomi, sepse menjëherë paguhen pagat e atyre pak punonjësve, të cilët menjëherë i përkthejnë në konsum”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës do të jetë 25% më e madhe se sot, ndaj një vëmendje të veçantë do t’i jepet rritjes së tregut për prodhimet shqiptare, por edhe ato artizanale. Në bashkinë e ardhshme do të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik, ku do të diskutohen propozimet e biznesit.

Top Channel