Trukimet, Renzi: Mjaft më, duhet ndryshuar sistemi

20/05/2015 00:00

“Tashmë ka ardhur koha t’u themi mjaft më personazheve me sjellje të diskutueshme, të cilët qeverisin futbollin në të gjitha nivelet. U bëj thirrje Federatës, Ligës si dhe institucionit drejtues të Coni-t, ta kthejnë futbollin ndaj familjeve që kanë dhënë për këtë sport”.

Kështu është shprehur kryeministri Matteo Renzi, teksa është ndalur kryesisht te çështja e trukimit të ndeshjeve, duke e përshkruar skandalin e ndodhur në Lega Pro dhe Serie D si të turpshme dhe tepër lodhës.

“Jam lodhur, sepse futbolli është edhe një vlerë shtesë për imazhin e një vendi përtej tij. Në vitet e fundit po ndodhin shpesh skandale, të cilat na lënë pa fjalë. Ka ardhur momenti që të ndryshojmë tërësisht sistemin. Do të më pëlqente ta bënim këtë të gjithë së bashku. Me të kaluar periudha e zgjedhjeve lokale, do t’u kërkoj të gjitha forcave politike të ulen së bashku në një tryezë. Duhet t’u japim në mënyrë të qartë personazheve të botës së futbollit një mesazh të fortë dhe me vendosmëri për t’u ndalur. Futbolli është i të gjithëve dhe jo pronë e shoqërive konsulente të të drejtave televizive”.

Në të njëjtin reagim, ka folur edhe në lidhje me disa ndërhyrje më të ashpra, si ai i gjysmëfinales së Kupës së Italisë mes Fiorentinës – skuadër për të cilën bën tifo kryeministri italian – dhe Juventusit.

“Allegri më dërgoi një mesazh ditën përpara ndeshjes, ku më shkruante se në fund do të kualifikohen ata. Ndërsa unë ia ktheva ‘mbase’, por ja që në fund pati të drejtë ai”.

Në lidhje me finalen e Championsit, ku Juventus do të përballet me Barcelonën, kryeministri uron fat, “por përfaqësues të qeverisë do të jenë të tjerë. Kundër Barcelonës do të jenë ministri i Brendshëm dhe ai i Jashtëm, që do të përfaqësojnë vendin. Do të jetë një ndeshje e vështirë”.

Ndërkohë që një reagim ka ardhur edhe nga kreu i Federatës (FGIC), Tavecchio. “Futbolli është pjesërisht i dëmtuar, kemi shumë dëshirë ta mbrojmë, madje me forcë”.

Carlo Tavecchio ka vijuar se “gjeta një ambient futbolli pa formacion, ndaj dhe gjëja e parë është ta ndryshojmë, duke formatuar drejtimin. Janë rreth 200 mijë drejtues, për të cilët nevojitet të krijojmë një bazë të dhënash, që të kuptojmë se çfarë bëjnë dhe përse janë sërish të njëjtët që riciklohen vit pas viti”.

“Nëse nuk kontrollojmë këtë situatë, nuk do ta zgjidhim kurrë problemin”, tha Carlo Tavecchio, drejtues i Federatës italiane të Futbollit, FIGC.

Top Channel