Naço, kërkesë Presidentit: Të pezullohet gjyqtari Qani Hasa

20/05/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të pezullojë gjyqtarin Qani Hasa, i cili akuzohet për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

“Jemi të vendosur për të mos përjashtuar askënd nga ligji”, ka deklaruar Naço.

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit, gjykata ka vendosur pezullimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa dhe për prokurorin e Elbasanit, Pertef Asllani.

Deri në fazën aktuale të hetimit, të nisur një muaj më parë pas kallëzimit të Inspektoriatit të lartë të Deklarimit të Pasurive, gjyqtarit dhe prokurorit me detyrë në të njëjtin rreth, u është komunikuar akuza dhe janë duke përfunduar hetimet.

“Nga hetimi ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Hasa dhe Asllani kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti, i cili ishte në pronësi të shtetasit Pertef Asllani dhe që, nëpërmjet një kredie të butë nga Enti i Banesave në Elbasan, i është shitur shtetasit Qani Hasa.
 
Nga hetimi rezultoi se Hasa, me detyrën e gjyqtarit, ka përfituar një kredi të butë nga Enti i Banesave për blerje apartamenti në qytetin e Elbasanit, pasi sipas legjislacionit në fuqi, i takonte për shkak se ushtronte funksionin në një qytet larg vendbanimit të tij të përhershëm (Tiranë).

Top Channel