Ndalimi i “luftëtarëve të huaj”, firmoset një protokoll bashkëpunimi në KiE

20/05/2015 00:00

35 ministra të Jashtëm të kontinentit europian dhe 7 sekretarë shtetesh kishin konfirmuar pjesëmarrjen në Bruksel, për aktivitetin përmbyllës të Presidencës belge të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, të titulluar “Përgjegjësia e ndarë për një siguri demokratike në Europë”, ku u shfaq dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, i cili shfrytëzoi mundësinë për takim të veçantë me kryediplomatin rus, Lavrov.

Një protokoll shtesë ndaj konventës për “parandalimin e luftëtarëve të huaj” u firmos nga 44 ndër 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës, i cili detyron ligjërisht shtetet pjesëmarrëse të ndalojnë veprime të ndryshme, përfshirë pjesëmarrjen e qëllimshme në një grup terrorist, marrjen e trajnimit për terrorizëm dhe faktin e daljes jashtë vendit për qëllime terroriste.

Me këtë protokoll krijohet dhe një rrjet i shkëmbimit të shpejtë dhe të pandërprerë të informacionit në vendet pjesëmarrëse. Protokollit shtesë i bashkëngjitet edhe deklarata politike e ministrave europianë, si dhe një plan veprimi për periudhën 2015-2017, i cili ka dy objektiva kryesorë: forcimin e kuadrit ligjor kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe parandalimin e luftën ndaj radikalizimit të dhunshëm, përmes masave konkrete në sektorin publik, sidomos në shkolla e në burgje, por dhe në internet.

Në tryezën e përfaqësuesve, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati këmbënguli mbi zhvillimet në Maqedoni, por dhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ndërsa homologu i tij serb, Ivica Daçiç ankohej për “standardin e papranueshëm” të të drejtave të njeriut, për minoritetin serb në veri të vendit (Kosovë e Metohi).

“Diskutuam në lidhje me sfidat e sigurisë sot për sot, në lindje me Ukrainën e Gjeorgjinë, dhe gjithë brezin e konflikteve të ngrira në Europën Juglindore – kryesisht me atë çfarë po ngjet në Maqedoni dhe për një transparencë të plotë, jo vetëm të të gjithë krizës që po shpërfaqet në Maqedoni, por dhe për ta shikuar këtë nën prizmin e sigurisë demokratike. Gjithashtu bëra të qartë e nënvizova nevojën për anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat e Këshillit të Europës, për anëtarësim në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si një mundësi për një siguri demokratike më të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për aplikimin e standardeve dhe të të drejtave, që parashikohen në këtë konventë”, tha Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Komiteti i ministrave shqyrtoi dhe raportin mbi gjendjen e demokracisë në Europë, të prezantuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Jagland, i cili nxjerr në pah dy probleme kyçe: mungesën e një sistemi gjyqësor profesional dhe kërcënimet që has liria e medias.

Në përfundim të takimit, Belgjika ia kaloi Bosnjes Presidencën e Komitetit të Ministrave të KiE për 6 muajt e ardhshëm, e që do të pasohet në nëntor nga Bullgaria, për të vijuar më pas me Estoninë e Qipron.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel