Ndryshon procedura e përzgjedhjes së prokurorëve, tani me testim

20/05/2015 00:00

30 kandidatë janë testuar këtë të mërkurë për katër vende vakante për prokurorë në disa rrethe gjyqësore të vendit. Ky është një format i ri për përzgjedhjen e prokurorëve të ardhshëm, dhe përfshin dy faza.

Në fazën e parë bëhet testimi teorik pranë komisionit përkatës të Testimit. Ky komision pëbëhet nga prokurorë me përvojë dhe pedagogë të shkollës së Magjistraturës.

Faza e dytë është seancë dëgjimore pranë Këshillit të Prokurorisë për kandidatët që marrin pikët e mjaftueshme nga testi teorik.

“Kjo procedurë synon që prokurorët e ardhshëm të jenë persona me aftësi të mira profesionale dhe personale, për të qenë në lartësinë e nevojshme për të zhvilluar hetime të plota, si edhe për të prezantuar denjësisht Prokurorinë para gjykatës dhe në raport me të tretët. Kjo formë testimi për prokurorë, e cila po aplikohet për herë të parë, është më e vështirë se sa ka qenë deri më tani. Por, po aq të bindur jemi edhe për faktin se prokurorët që do të dalin nga procedura e sotme dhe në procedurat në vijim, do të kenë kapacitetet jo vetëm për të përfaqësuar akuzën në gjyq, por në një të ardhme jo shumë të largët, mund të kenë edhe pozicione drejtuese brenda sistemit”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në procedurën e mëparshme, kandidatët për prokurorë paraqiteshin para Këshillit të Prokurorisë, i cili jepte vlerësimin e tij në bazë të dosjes personale dhe përvojës së punës.

Top Channel