KQZ çregjistron kandidatin e PD-së për Bashkinë e Kurbinit

20/05/2015 00:00

Deri në momentin kur kryetarja e KQZ-së nuk ishte pozicionuar në qëndrimin ndaj kërkesës së Partisë Socialiste, anëtarët e trupës më të lartë zgjedhore ishin ndarë 3 me 3, në gjykimin pro dhe kundër për regjistrimin e kandidatit të PD-së për bashkinë Kurbin, i cili ishte regjistruar nga ZAZ e kësaj njësie jashtë afatit ligjor.

“Dhe për sa kohë për këtë pikë kodi është shumë i saktë unë mendoj se vendimi i KZAZ-së është në kundërshtim me ligjin”, tha kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi.

Qendrimi i kryetares së KQZ-së bëri të mundur katër votat e nevojshme, me të cilat u pranua kërkesa e PS-së për çregjistrimin e kandidatit të PD-së në Kurbin. Ky qëndrim i kreut të KQZ-së përforcoi atë të anëtarëve të propozuar nga e majta në këtë institucion, përkundër qëndrimit të tre anëtarëve të propozuar nga e djathta që nuk ndanë këtë argument.

“Nuk jemi përtej afateve dhe nuk cënojmë asnjë proces që vjen pas kësaj. Nuk kemi pse fshihemi pas gishtit, kemi vetëm një kandidat”, tha Klement Zguri, anëtar i KQZ-së.

“Nuk mund të krijojmë një precedent që do të legjitimonte ndryshimin e vazhdueshëm të kandidatëve. Çfarë do të ndodhë nëse për çfarëdo lloj arsye Erion Velisë më 20 qershor i teket të japë dorëheqjen”, tha Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së.

Vendimi i KQZ-së për çregjistrimin e kandidatit për herë të parë krijon precedentin e zgjedhjeve me vetëm një kandidat. Edhe këtë argument do të përdorë PD në Kolegjin Zgjedhor, pas deklarimit se do ta ankimojnë këtë vendim në gjykatën e Apelit.

“Sipas këtij vendimi e drejta e zgjedhjes atyre u është mohuar. Sepse do ti paraqesin popullit të Kurbinit një fletë votimi ku do të ketë vetëm një emër. Nëse dhe Kolegji do ta rrëzojë pastaj do të jetë me një kandidat fleta e votimit, kjo është çudia”, tha Njazi Kosovrasti, përfaqësues i PD-së në KQZ.

Por atë që përfaqësuesi demokrat e cilëson si çudia e përfaqësimit me vetëm një kandidat, përfaqësuesi socialist thotë se PD nuk duhet ta kërkojë tek KQZ, por është përgjegjësia e saj që shkaktoi këtë situatë. Nuk është detyrë e KQZ-së të sigurojë konkurrimin politik në zgjedhje, thotë Genc Gjonçaj, duke saktësuar se detyra e këtij institucioni është zbatimi i ligjit dhe i afateve të tij.

“Ligji e ka të qartë të përcaktuar se kur është afati i fundit që kandidatët regjistrohen në KZAZ. Përtej këtij afati nuk ka regjistrime dhe nuk pranohen çështje të tilla, si ajo e dorëheqjes. Kjo është një çështje që do të shkojë në kolegj dhe aty do të kemi një vendim”, tha Genc Gjonçaj, përfaqësues i PS-së në KQZ.

Kandidati demokrat në Kurbin, Ilir Pjetraj, vëllai i deputetit të kësaj force politike Mhill Fufi, u regjistrua si kandidat në datën 13 maj, pas dorëheqjes së një tjetër kandidati të Partisë Demokratike më 9 maj, ndërsa afati i fundit ligjor ishte data 4 maj.

Top Channel