Mustafa: Kosova, jo burim i paqëndrueshmërisë në rajon

20/05/2015 00:00

Kryeministri Isa Mustafa ritheksoi faktin se Kosova nuk është burim i paqëndrueshmërisë në rajon. Këtë koment ai e bëri duke iu referuar situatës në Kumanovë, ku sipas informacioneve zyrtare, janë përfshirë 30 shtetas të Kosovës. Kryeministri kosovar foli për këtë ngjarje, në kuadër të raportimit në mbledhjen e qeverisë për vizitën zyrtare në Slloveni.

“Është aktualizuar edhe çështja e ngjarjeve në Kumanovë, pasi për to është shprehur brengosja e të dy palëve për pasojat dhe viktimat. Lidhur me këto ngjarje, ka edhe interes që të ruhet qëndrueshmëria në rajon, e veçanërisht në Maqedoni, sepse stabiliteti atje nënkupton stabilitet edhe në Kosovë dhe në rajon. Për këtë, ne jemi zotuar që do të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe do të ndihmojmë gjithashtu që Kosova të mos jetë në asnjë rast burim i paqëndrueshmërisë. Këtë gjë, sigurisht që nuk e kemi konsideruar as në këto momente”, tha Mustafa.

Kabineti qeveritar i Kosovës ndau pas një vendimi 150 mijë euro për procesin e dialogut ndërshtetëror Kosovë-Serbi. Këto parà do të shfrytëzohen nga ministrja pa portofol, Edita Tahiri, e cila është përgjegjëse për procesin e dialogut. Sipas të njëjtit vendim, akomodohet me zyrë dhe staf përcjellës në Kryeministri edhe koordinatori politik për bisedimet me Serbinë, Blerim Shala.

“Shalës i caktohet një zyrë brenda Kryeministrisë. Gjithashtu, për punën e tij ai do të ndihmohet me një staf mbështetës të ministres pa portofol dhe nga zyra e kryeministrit. Aktivizimi i koordinatorit për shërbimet e kryera do të bëhet nga kategoria ekonomike, mallra dhe shërbime, nga buxheti i përcaktuar sipas këtij vendimi, i cili do të jetë i barabartë me pagën e zëvendësministrit”, tha Kujtim Shala, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht interesimit të Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim për të punuar bashkë në modernizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ministri i Financave, Avdullah Hoti bëri të ditur se, një ekip i BERZH-it do të vijë në Kosovë për të nxjerrë planin konkret për PTK-në.

Ai paralajmëroi gjithashtu disa kontrata për kredi me këtë institucion për realizimin e projekteve infrastrukturore. Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar miratoi vendimin, që pagat e punonjësve publikë, nga muaji maj të jepen me shtesën e përvojës së punës.

Top Channel