Zaev-Gruevski, kokë më kokë në Strazburg, me ndërmjetësimin e PE-së

20/05/2015 00:00

Rreth 10 orë kanë zgjatur bisedimet që u zhvilluan në selinë e Parlamentit Europian në Strazburg, midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës Zoran Zaev për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.

Tre deputetët të Parlamentit Europian, që ndërmjetësojnë në këtë dialog, Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howit, pas takimit kanë shpërndarë një komunikatë të shkurtër, përmes të cilës përshëndesin dialogun mes liderëve maqedonas.

Megjithatë, në këtë komunikatë nuk jepen detaje nëse palët kanë përafruar qëndrimet e tyre. Siç mësohet, udhëheqësit maqedonas edhe në Strazburg kanë mbrojtur qëndrimet tashmë të njohura për opinionin.

Lidhja Social-Demokrate e opozitës kërkon dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe formimin e një qeverie kalimtare. Por asnjëra prej këtyre kërkesave nuk është e pranueshme për shefin e qeverisë.

Ndërkohë, dialogu për zgjidhjen e krizës pritet të vazhdojnë në Shkup më 26 maj, mes liderëve të katër partive kryesore në Maqedoni.

Analistët vlerësojnë se qeveria e Gruevskit ka humbur legjitimitetin dhe, sipas tyre, nevojitet formimi i një qeverie kalimtare për t’i përgatitur institucionet e shtetit për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Maqedoni.

Top Channel