Shkodër, PS: Të ndalet çmenduria e PD-së me flamuj edhe në zonat muzeale

20/05/2015 00:00

Në një komunikim me mediet, dega e Partisë Socialiste në Shkodër ka reaguar në lidhje me mbushjen e qytetit me flamuj nga Partia Demokratike, duke e quajtur një veprim të çmendur dhe tregues i një paniku, teksa edhe rruga muzeale është mbushur me të tillë.

Partia Socialiste e Shkodrës bën thirrje për ndaljen e kësaj çmendurie, siç e quan ajo.

Në vijim të deklaratës së degës së PS-së në Shkodër, thuhet se “kandidatja e majtë Keti Bazhdari i ka kërkuar një ditë më parë kandidates së djathtë për kryetare bashkie, Voltana Ademi, një kompromis për të ndarë zonat se ku do të vendosen flamujt, për të realizuar në këtë mënyrë një simbolikë më fine”.

“Fatkeqësisht PD-ja, e futur në panik dhe nga tendenca për raprezalje që e karakterizon, filloi të mbulojë Shkodrën me flamuj. Nga ana jonë nuk mungon as stafi teknik për ta realizuar diçka të tillë dhe as numri i flamujve. Por kërkojmë që kjo çmenduri të ndalet, e për diçka të tillë nga ana jonë ekziston i gjithë vullneti. Nëse PD-ja pranon të bashkëpunojë, jemi gati t’i tregojmë Shkodrës sesi mund t’i heqim flamujt nga sheshet dhe t’i zëvendësojmë me një simbolikë më elegante, siç nisëm para se PD të çmendej dhe të mbulonte deri edhe zonat muzeale, siç është pedonalja. Kërkojmë gjithashtu vëmendjen dhe reagimin e bashkëqytetarëve, që shoqëria të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga të tilla veprime. Gjykojmë absurde dhe të pakuptimtë mbyshjen e të gjitha rrugëve e shesheve publike me flamuj”.

Ajo që ka rënë në sytë e çdo qytetari të Shkodrës është mbushja ekstreme me flamuj, si asnjëherë më parë, duke mos mbetur asnjë hapësirë publike pa u zënë nga këto flamuj. Gjatë ditës së mërkurë, në Shkodër është krijuar ideja se, më shumë sesa një betejë elektorale, po zhvillohet një betejë flamujsh.

Top Channel