Prokuroria kërkon 9 vjet burg për kreun e komunës Bërzhitë

20/05/2015 00:00

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon 9 vjet burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës së ushtrimit të profesionit, për kryetarin e Komunës Bërzhitë, në Tiranë. Genc Drita akuzohet për korrupsion pasiv dhe fshehje e deklarim të rremë të pasurisë.

Gjithashtu, prokuroria kërkon 5 vjet burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për përgjegjësin e zyrës së Taksave të kësaj komune, Armando Burri. Edhe ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.

Sipas prokurorisë, të dy personat i kanë marrë një shtetasi shumën 4500 euro në këmbim të dhënies së lejes së përdorimit të një hapësire publike në territorin e komunës Bërzhitë.

Ata u arrestuan në flagrancë. Armando Burrit iu gjet shuma 1500 euro, pjesa e fundit e parave dhënë nga personi që kërkonte lejen e përdorimit.

Pas tij u vu në pranga edhe kryetari i Komunës, Genc Drita, pasi Armando Burri, pak momente para arrestimit e kishte njoftuar kryetarin se kishte marrë paratë për dhënien e lejes së përdorimit.

Po ashtu, ndaj shtetasit Genc Drita, dy ditë pas arrestimit të tij në flagrancë për “korrupsion pasiv”, ILDKPKI ka dorëzuar një kallëzim penal për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”.

“Sipas kallëzimit të ILDKPKI, shtetasi Genc Drita ka fshehur kontratën e sipërmarrjes për blerjen e dy apartamenteve, me vlerë totale rreth 125.280 euro, si dhe ka fshehur sipërfaqen e truallit 1000 m2 me kufizim në rrugën automobilistike Tiranë- Elbasan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në deponimin e tij, Drita ka deklaruar se ka nënshkruar një kontratë fiktive me një kompani, me qëllim marrjen e një kredie në një bankë të nivelit të dytë në shumën e 100 mijë eurove, duke lënë si kolateral një sipërfaqe prej 6200 m2 tokë. Ndërsa për sipërfaqen 1 mijë m2, kreu i komunës së Bërzhitës është shprehur se ka harruar ta deklarojë, por jo se ka dashur ta fshehë.

Top Channel