Bojaxhi: Tirana është betonizuar me miratimin e të dyja palëve

20/05/2015 00:00

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi i mëshon edhe njëherë fort një prej çështjeve më shqetësuese të kryeqytetit, asaj të betonizimit.

“Më shumë se 700 mijë metra katrorë janë gllabëruar nga Parku i Liqenit duke u kthyer në truall ndërtimi, si zona midis Korpusit dhe Gardës, vetë territori i Gardës, zona në rrëzë të digës së Liqenit, ajo e Parkut përballë Fakultetit të Ekonomisë, pjesa e kurorës së Parkut nga ana e Saukut dhe zona nën digën e Liqenit, ku tashmë ka nisur ndërtimi.

Kjo hartë dhe ky vendim i miratuar në vitin 2006 na tregojnë sesi këta politikanë, pavarësisht estradave që na bëjnë në Parlament, kur vjen puna për të prishur dhe shkatërruar hapësirat tona publike bashkëpunojnë shumë mirë. Këtu kemi firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, të cilët të dy bashkë kanë miratuar ndërtimet në zonat, që janë hequr nga Parku i Liqenit, të cilat kanë qenë zona të gjelbërta dhe sot janë në proces betonizimi”, është shprehur Gjergj Bojaxhi.

Kandidati i pavarur për Tiranën ka sulmuar partitë politike dhe kandidatët e tyre, të cilët siç shprehet ai, flasin për çdo gjë, përveç betonizimit të Tiranës nga klientët e tyre.

Top Channel