35 vjet burg për vjedhjen në BSH, gjykata dënon Bitraj dhe Bruzian

20/05/2015 00:00

Mimoza Bruzia kërkoi pafajësi për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim pasi sipas saj, ajo nuk është e implikuar në vjedhjen e 760 milionë lekëve të përvetësuara nga Ardian Bitraj.

Madje, gruaja kërkoi përmes avokatit që të konsiderohej e pafajshme për shpërdorim detyre, me pretendimin se i kishte vënë në dijeni shefat për mungesën e 4 milionë lekëve dhe se nuk ka patur asnjëherë dijeni për ngjarjen.

“Është një punë që ne nuk e përballonim dot dhe prandaj disa herë kam vënë në dukje punën e rregullores që ne nuk e zbatojmë. Por nuk është dëgjuar asgjë as nga përgjegjësi i sektorit dhe as nga organet dhe drejtori apo nëndrejtori”, tha Bruzia.

Por pretendimet e zonjës Bruzia u gjetën të pabazuara nga gjykata dhe për këtë ajo u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa protagonisti kryesor i supervjedhjes së Bankës së Shqipërisë me 20 vjet heqje lirie.

Për të dy ata, gjykata deklaroi se aplikohet zbritja e një të tretës së vuajtjes së dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkrutuar. Për Bitrajn, dënimi i mbetur me gati 13 vjet burgim nuk ishte aq shqetësues, përderisa ai u përpoq t’u jepte kurajo të afërmve të pranishëm në sallën e gjyqit.

“Mos u shqetësoni”, u tha ai atyre. Aktualisht gjyakta ka në gjykim edhe katër ish-punonjës të tjerë të bankës, me në krye ish-inspektoren e përgjithshme Elivar Golemi.

Ndërkohë, për dhjetë ish-specialistë e përgjegjës, përfshirë ish-drejtorin e Departamentit, gjykata dha verdiktin me 13 vjet burg në total. 

Top Channel