Qeveria kthehet tek zonat e lira, dërgohet në Parlament p/ligji për zonën e parë industriale

20/05/2015 00:00

Ministri i Zhvillimet Ekonomik thotë se ndërtimi i zonës së parë ekonomike do të ketë impakt të konsiderueshëm në punësim dhe investimet e huaja.

“Kjo zonë e lirë ekonomike besoj do të jetë 3-4 vjet. Do të sjellë mbi 17 mijë vende të reja pune, dhe mund t’i kalojë investimet dhe mbi 1.3 miliardë dollarë”, tha Ahmetaj.

Për të nxitur bizneset të investojnë në këtë zonë, qeveria ka parashikuar një sërë lehtësirash fiskale. Arben Ahmetaj listoi disa prej tyre.

“Zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen nga pagesa e 50% të normës së tatim-fitimit për pesë vitet e para. Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohen si furnizim për eksport në shkallën zero. Ndërtimet e realizuara në këtë zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 5-vjeçare”, tha ministri Ahmetaj.

Por opozita thotë se kjo është një tentativë e destinuar të dështojë. Ridvan Bode mendon se ekonomia shqiptare e ka humbur konkurrueshmërinë, nga kostot e larta të energjisë, taksat e rënduara, por edhe pasiguria, sipas tij, e lartë juridike.

“Sot ekonomia shqiptare performon më dobët. Sot për investitorët nuk ka garanci juridike. Të gjithë kontratat e lidhura, të gjitha programet e investimeve të bëra prej tyre për nivelin e taksave, të kostove të tyre të brendshme janë të tilla që implikojnë tërheqje, ndryshim të strategjive në Shqipëri. Dhe ata janë tërhequr”, tha deputeti i PD-së, Ridvan Bode.

Por maxhoranca thotë se ish-ministri i Financave kërkon të mbrojë bizneset korruptive të dhëna nga qeveria ku ai bënte pjesë,

“Apo e keni fjalën për këta që ishin të gjithë në ato koncesionet e hidrocentraleve ku pas të cilit, apo pas të cilëve kishte nga një deputet të Partisë Demokratike? Për sigurinë juridike të atyre kontratave flet zoti Bode? Po, natyrisht që do të cenohet. Se korrupsioni kështu është, cenohet. Sa për investitorët strategjikë që ka sjellë zoti Bode në Shqipëri po ua përsëris dhe njëherë tjetër, ata që janë seriozë janë në punë”, tha Erjon Braçe, kreu i komisionit të Ekonomisë.

Shqipëria tenton prej disa vitesh të ndërtojë një zonë të lirë ekonomike. Ish qeveria e djathtë miratoi lejen për një zonë në Vlorë dhe 8 parqe industriale, por të gjitha dështuan. Ministri Ahmetaj thotë se këtë herë rezultati do të jetë sukses. Sipas tij, pas dy muajsh qeveria do të hapë tenderin për zhvilluesin dhe vitin tjetër zona do fillojë të ndërtohet. Edhe pse vendi do të përcaktohet nga qeveria, gjasat janë që zona e parë të ndërtohet në Spitallë.

Top Channel