Në Lagjen e Trimave në Kumanovë ende nuk ka mbërritur ndihma e shtetit. Banorëve të kësaj lagjeje deri tani u kanë dalë në ndihmë shumë organizata humanitare dhe Kryqi i Kuq, por jo edhe qeveria.

“Ndihma po vijnë, po na ndihmon popullata, po na sjellin ushqim dhe ujë, por shteti ende nuk na ka dhënë asgjë. Kanë premtuar, por ende nuk ka asgjë”, thotë Skënder Azemi, banor i lagjes.

Banorët e kësaj lagjeje po ballafaqohen me problemin e strehimit. Shumica e atyre që iu dëmtuan shtëpitë gjatë përleshjes së armatosur 10 ditë më parë, netët i kalojnë tek të afërmit e tyre, pasi qeveria ende nuk ka përmbushur premtimin për strehimin e këtyre banorëve.

“Momentalisht jemi duke jetuar tetë anëtarë në një apartament 57 metra katrorë. Prej shtetit nuk kemi kurrfarë ndihme. Kërkojmë ndihmën e shtetit që të mos shprëndahemi nëpër shtëpitë e të afërmve”, thotë banori tjetër Agron Ajdini.

“Kjo dhe shtëpia tjetër janë të pabanuara. Fatmirësisht kemi një shtëpi në një lagje tjetër dhe aty jemi strehuar të gjithë, rreth 30 anëtarë”, thotë Jahi Ibrahimi.

Ndërkohë, përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Shkupit thonë se Ministria e Financave brenda dy ditëve të ardhshme do të ndajë ndihma në para për t’u siguruar strehim me qera banorëve që nuk mund të jetojnë në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, ende nuk bëhet e ditur se kur do të fillojë kompensimi i dëmeve për shtëpitë e rrënuara.

Top Channel