Hamilton, edhe 3 vite te Mercedes

20/05/2015 00:00

Odisea e rinovimit të Lewis Hamilton ka marrë fund, pasi palët kanë rënë dakord, duke hedhur të zezën mbi të bardhë. Tani marrin fund edhe zërat se piloti britanik mund të kalojë te Ferrarri, pasi ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Mercedes, me të cilën do të përfitojë 100 milionë paund në total.

Ky lajm është konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit e skuadrës gjermane, të cilët përmes Toto Wolff janë shprehur shumë të lumtur, duke qenë se Mercedes do të vazhdojë të ketë në radhët e veta dy pilotët më të mirë.

“Rinovimi me Hamilton ka qenë një nga prioritetet tona. Bashkëpunimi ka sjellë shumë suksese, prandaj kemi kohë që kemi shprehur dëshirën që të firmosim kontratën e re”, është shprehur Wolff

Ndërkohë, edhe Hamilton është shprehur i lumtur për kontratën e tij të re, duke thënë se te Mercedes është duke kaluar momentet më të mira të karrierës së tij. Ai ka thënë se do të japë maksimumin për të arritur suksese të reja.

“Jam shumë i lumtur që do të qëndroj te Mercedes edhe për 3 vite të tjera. Pas suksesit të vitit të kaluar, jemi akoma edhe më të uritur dhe duam që të arrijmë gjëra edhe më të mëdha. Makina e Mercedes me të cilën garoj aktualisht, është më e mira që kam pasur ndonjëherë në karrierë”, ka thënë piloti britanik, që ka fituar 15 nga 43 gara me gjermanët, duke arritur të shpallet dy herë kampion.

Top Channel