Majko mbështet debatin publik (të mundshëm) Veliaj-Kosova

20/05/2015 00:00

“Nëse është fjala për të debatuar për një projekt për të mirën e qytetarëve, më kanë në fushë të betejës dhe nuk dal pa fitore. Kur më thonë gjëra personale, them se ky është karakteri”. Kjo ishte deklarata e një dite më parë e kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova.

Një ditë pas kësaj, Erion Veliaj përsërit ftesën për një debat publik me rivalin e tij kryesor dhe e fton atë në televizionin më të madh të shqiptarëve.

Kjo gatishmëri e dy kandidatëve më potencialë për bashkinë më të madhe të kryeqytetit, është përshëndetur nga deputeti socialist, Pandeli Majko.

“Më në fund, kandidatët kryesorë për Bashkinë e Tiranës kanë rënë dakort në parim që të zhvillojnë një debat publik. Ky është një lajm i mirë. Ai nuk është ‘çudia’ e vitit, pasi e kundërta do të ishte e vërtetë. Debati publik Veliaj-Kosova do të respektojë një komunitet prej 1 milion vetësh në Bashkinë e Tiranës. Komunikimi i stafeve dhe vendosja e një grafiku komunikimesh publike të përbashkëta në tryezat më të ndjekura televizive, do t’i japë fund një kulture ‘gri’ politike, e cila ka thelluar hendekun midis politikës dhe publikut në vend”, shkruan Majko.

Majko del përtej kampit socialist dhe i jep një këshillë Halim Kosovës.

“Doktor Kosova e ka një ‘homolog’ në fushatën për Bashkinë e Tiranës, i cili kishte javë që ia kujtonte këtë fakt, dhe ky ështe Erion Veliaj. Vendimi i kandidatit të opozitës është një akt në drejtimin e duhur. Urime Doktor Kosovës…veç kujdes, se Veliaj në studion televizive është në ‘maternitetin’ e tij”, shton deputeti socialist.

Top Channel