Rama në Elbasan premton rritje të Fondit të Punësimit dhe akuzon opozitën: Jashtë realitetit

20/05/2015 00:00

Duke vizituar nga afër një sipërmarrje fason në qytetin e Elbasanit, kryeministri i vendit, Edi Rama ka premtuar se Qeveria do vijojë të mbështesë “Fondin e nxitjes së punësimit”.

“Ajo që ka rëndësi është që fondi i nxitjes së punësimit ka funksionuar dhe ne praktikisht, për 2014 e trefishuam, ndërkohë që për 2015 dyfishuam shumën e 2014 dhe do të vazhdojmë ta shtojmë sepse është një fond që realisht mijëra njerëz po i shikojnë hajrin”- deklaroi Rama.

Më pas, në një takim me qytetarët e Elbasanit, Edi Rama dhe kandidati i mazhorancës për bashkinë e qytetit, Qazim Sejdini, kanë prezantuar kandidatët për këshillin bashkiak, të cilët sipas Ramës, me ndarjen e re territoriale kanë një peshë më të madhe.

Duke u ndalur tek fushata e opozitës, kreu i mazhorancës e ka cilësuar atë si të pashpjegueshme.

“Nuk e kuptoj që një parti që ka qenë deri dje në Qeveri, në një fushatë për zgjedhjet vendore, të flasë ka përçart, kaq palidhje me problemet e komuniteteve dhe me zgjedhjet që kemi më 21 Qershor, s’kanë asnjë program, s’kanë asnjë ide dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje që t’u thonë njerëzve se çfarë do të bëjë në Tiranë? Çfarë do të bëjnë në Elbasanit dhe çfarë do të bëjnë në përgjithësi për shqiptarët? Nuk e thonë fare! Merren me çmimin e dritave. Çfarë lidhje ka Qazimi me çmimin e dritave?! As e rrit dhe as e ul dot. Tani do vijë Ardian Turku të ulë çmimin e dritave. Si do të ulë?! Kjo është tallje e madhe me njerëzit”- u shpreh Rama.

Pyetjes së qytetarëve nëse Qeveria do të vijojë sërish të mbështesë kaq fort Elbasanin, Rama i është përgjigjur: “Po qe puna po kaq e fortë, s’ka ç’ju duhet Qeveria, unë them më fort se kaq”.

E në fund, kreu i mazhorancës nuk ka harruar të kujtojë numrin 23.

“Numri ynë 23 është një numër që asnjë socialist nuk mund ta harrojë, mjafton të kujtojë 23 Qershorin e 2013-ës”- u shpreh Rama.

Top Channel