SHBA, mbi 5 miliardë $ gjobë 5 bankave më të mëdha në botë

20/05/2015 00:00

Pesë nga bankat më të mëdha në botë do të paguajnë gjoba që arrijnë deri në 5.7 miliardë dollarë për manipulimin e valutës së huaj dhe normave të interesit.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët amerikanë. Katër nga këto banka, JPMorgan, Citigroup, Barclays dhe RBS kanë rënë dakord për të pranuar fajësinë ndaj akuzave penale të ngritura nga drejtësia amerikane, ndërsa e pesta, UBS AG, do të deklarohet fajtore për manipulim të normave të interesit.

Nga të pesta bankat, Barclays ka marrë gjobën më të lartë prej 2.4 miliardë dollarë pasi ndryshe nga institucionet homologe, nuk iu bashkua hetimeve të enteve rregullatore amerikane, britanike dhe zvicerane të nisura në nëntor.

Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Loreta Lynch deklaroi se “thuajse çdo ditë” për 5 vjet, nga viti 2007 në 2012, tregtarët e valutës kanë përdorur një dhombë bisedash elektronike private për të manipuluar normat.

“Veprimet e tyre kanë dëmtuar një numër të pallogaritshëm konsumatorësh, investitorësh dhe institucionesh në mbarë botën”, deklaroi kryeprokurorja Lynch.

Sipas enteve rregullatore, në këto vite, lidershipet e këtyre bankave kishin krijuar një kartel të mirëfilltë interesash dhe i përdornin dhomat elektronike për të manipuluar çmimet në favorin e tyre.

Një drejtuesi të Barclays, që u ftua t’i bashkohej kartelit iu tha: “Eja përfshihu dhe fli me një sy hapur natën”.

Strategji të shumta për të realizuar manipulimet dhe një skemë e përbashkët u përdorën gati përditë për të fiksuar nivelet e valutave.

Përmes këtij veprimi, sugjerojnë hetimet, mbështeteshin biznese dhe investitorë për të bërë sa më fitimprurëse asetet e tyre multivalutore.

Top Channel