Fier, 5 të arrestuar për vjedhje nafte me dhunë

20/05/2015 00:00

Policia e Fierit ka arrestuar këtë të mërkurë pesë persona nën akuzën e vjedhjes së naftës në Marinzë, duke përdorur edhe dhunë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave në pranga kanë përfunduar shtetasit Kozma Mata, Ervis Xhafa, Kristald Plaka, Erald Zyka dhe Aurel Zhupani.

Sipas burimeve, personat në fjalë kanë ushtruar dhunë ndaj rojes së pusit 3108 në Marinzë, me qëllim grabitjen e një sasie të konsiderueshme nafte bruto.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se 5 të arrestuarit kanë tentuar të vjedhin naftë edhe tek pusi 5108 i Marinzës, gjithmonë përmes ushtrimit të dhunës, me qëllim shitjen e saj kontrabandë.

Mësohet se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Kristald Plaka, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike tip kanabis sativa.

Top Channel