Dako: Mbështetje jetimëve dhe shtresave në nevojë

20/05/2015 00:00

Në Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka vizituar vogëlushët që jetojnë në qendrat sociale të kujdesit në qytetin bregdetar.

Dako është zotuar për angazhim maksimal dhe projekte konkrete që ofrojnë përkujdesje dhe vëmendje të veçantë për fëmijët jetimë dhe të gjithë shtresat sociale në nevojë.

“Ne do të kujdesemi për fëmijët jetimë dhe shtresat në nevojë, duke zgjeruar shërbimin për këtë kategori shoqërore. Falë vëmendjes sonë për këtë kategori dhe falë investimeve të kryera, sot kjo qendër ka një infrastrukturë të përmirësuar”, ka deklaruar Dako, gjatë vizitës në Shtëpinë e Foshnjes në Shkozet.

Qytetari i parë i qytetit bregdetar ka vizitur edhe Qendrën e Zhvillimit Rezidencial për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku aktualisht trajtohen 43 fëmijë, një pjesë prej të cilëve janë jetimë.

Aktualisht, në juridiksionin e Bashkisë së Durrësit funksionojnë 3 qendra sociale të kujdesit për fëmijët jetimë, 2 prej të cilave rezidenciale dhe 1 ditore, në të cilat jetojnë rreth 40 vogëlushë që vuajnë mungesën e prindërve.

Top Channel