“Ja rituali im për t’u qetësuar dhe për të marrë energji”

20/05/2015 00:00

Ai vjen nga Holanda, një vend me rregulla fikse dhe, sa herë që e streson Shqipëria kaotike, i ngjitet malit.

Vincent Van Gerven Oei, prej 4 vitesh jeton në vendin tonë, e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, ndërsa dita e tij është gjithnjë e ngjeshur dhe e programuar me angazhime.

Vincent është kompozitor, gjuhëtar, artist konceptual, filozof dhe studimet i ka kryer në Holandë, SHBA dhe Zvicër, duke mbaruar doktoraturën e tij të dytë në “Centre for Modern Thought”, në Universitetin e Aberdeenit.

Ka kuruar ekspozita në Holandë, Itali, Turqi, Shqipëri e shumë vende të tjera. Me gjithë këto impenjime, Vincent ia ka dalë falë disa strategjive, që ai ndjek. Sipas Vincent, rregulli numër një është agjenda, një ritual i përditshëm, pa të cilën nuk do ishte ai që është sot.

Po ashtu, tre herë në javë, Vincent e kalon kohën në një palestër të veçantë, ku alpinistët kanë mundësinë të sfidojnë limitet e tyre fizike.

Ai tregon se përmes këtij rituali, si dhe koha që kalon në këtë palestër janë një metodë shumë efikase për të mbajtur trupin në formë. Po ashtu edhe mendja e tij është më e qartë për të reflektuar, si dhe për të qenë më poduktiv kur i përkushtohet shkrimeve filozofike apo artit.

Vincent Van Gerven Oei është një shembull pozitiv dhe frymëzues për ata persona, që nuk mendojnë se objektivat e tyre mund t’i realizojnë, kudo që të jenë. Përkundrazi, suksesi është i prekshëm, nëse edhe ju e doni atë.

Top Channel