Retrospektiva e vrasjes së 3 vajzave nga nëna në Itali

20/05/2015 00:00

Edlira Çopa, e cila më 9 marsin e vitin të kaluar vrau 3 vajzat e saj në Lecco të Italisë, nuk do të vuajë dënimin në një qeli burgu, por në një spital psikiatrik.

Ky ka qenë vendimi i gjykatës, e cila vendosi të pushojë çështjen në ngarkim të saj, me argumentimin se krimi është kryer në një gjendje të rënduar mendore të Çopës. Sipas vendimit, 10 vitet e ardhshme ajo do të qëndrojë e izoluar në një spital, ku do të marrë mjekimin e nevojshëm.

Në një rrëfim ekskluziv për “Pasdite në Top Channel”, pa u mbushur 40 ditë nga ngjarja, Bashkim Dobrushi, babai i 3 vajzave të vrara nga nëna e tyre, foli për herë të parë për ngjarjen që tronditi atë dhe mbarë opinion publik. Përtej tronditjes, ende i paqartë për rrethanat, që çuan ish-bashkëshorten e tij, Edlirën, në këtë akt të tmerrshëm, ai komentoi se nuk kishte arritur ta imagjinonte përfundimin e jetëve të vajzave në këtë pikë.

Bashkimi kishte vetëm pak kohë, që ishte ndarë nga Edlira, dhe kishte filluar të jetonte tek i vëllai. Megjithatë, ai tregoi se i takonte vajzat çdo ditë dhe se nuk vërente asnjë shenjë shqetësuese tek ish-bashkëshortja.

I tronditur dhe shumë i paqartë për rrethanat, që çuan në marrjen e jetëve të 3 vajzave të tij të mitura, Bashkimi prentendonte vetëm drejtësi.

Pak më shumë se një vit pas ngjarjes, drejtësia tha fjalën e saj. Edlira do të vijojë jetën jashtë burgut, e izoluar edhe për 10 vite në Psikiatri, ndërsa Bashkimi përpiqet të vijojë jetën e të shikojë përpara; pa familjen e tij të dikurshme, pa vajzat që nuk jetojnë më dhe, ndoshta, me pengun që nuk ishte aty në momentin fatal, për t’i shpëtuar nga tehu i vdekjes.

Top Channel