Mamaja e Edlirës: Dhimbja është ende e madhe, por më vjen mirë për time bijë

20/05/2015 00:00

Me zemër të copëtuar dhe sy që nuk thahen, Atlije Çopa ka marrë vesh lajmin për vendimin dhënë së bijës, Edlirës. E moshuara jeton në Golem të Durrësit me një prej djemve të saj, në një banesë ku mungon edhe televizori, ndaj lajmin e ka marrë vesh prej fqinjëve.

“Për fëmijën tim u gëzova që të mos merrte ‘njollë’ për vrasjet e vajzave, por vajzën e kam të sëmurë. Unë gëzohen për të, që doli e pafajshme, por nuk më kthehen më ato që ikën. Gjyqi nuk më duhet më, se nipërit e mi më kanë ikur. U bë i gjithë sherri për një copë shtëpi”, thotë e ëma.

Atlia flet rrallë me të bijën, por ato të pakta herë që bisedojnë në distancë mes telefonit, këmbejnë dhimbjen e pamasë të një krimi, që askush nuk arrin as ta çojë në mendje.

“Flet qetë në telefon, por ajo ka kriza. Po t’i bjerë mendja te fëmijët, nis e bërtet, qan dhe më kërkon në telefon. Kërkon ndihmë”, rrëfen Atlija.

As Atlija vetë nuk arrin dot ta mendojë atë çfarë e bija ka guxuar të bëjë mbi vajzat e saj dhe shpesh mundohet dëshpërimisht të gjejë një shfajësim.

“Qan dhe më bie në prehër. Më thotë se jam nëna më e mirë në botë, që kam rritur 10 fëmijë dhe këtë veprim s’e kam bërë kurrë, siç veproi ajo”, thotë më tej Atlija.

Megjithatë duket se një shpjegim e ka edhe kjo tragjedi makabër.

“Doktori ka thënë se kjo nuk e ka duruar dhimbjen e ndarjes dhe i është ndarë truri në dysh. Çfarë t’i bësh, e mbajti përbrenda, e bluajti, por nuk e përballoi dot”, shprehet Atlija. “Është diçka e rëndë, se të ishte aksident në rrugë, hajde më. Por kjo është shumë e rëndë”.

Top Channel