Qëlluan me armë drejt policisë, në pranga banda e grabitësve

20/05/2015 00:00

Shkoi në katër numri i personave të arrestuar nga Policia e Tiranës në lidhje me të shtënat me armë zjarri të një dite më parë, të ndodhura në “Rrugën e Kavajës” në kryeqytet.

Pas Eduart Kacolit, të ndaluar ditën e martë, uniformat blu ndaluan edhe tre persona të tjerë. Eduart Ndou, 26 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, Ndue Ndou, 21 vjeç, lindur po në Pukë dhe banues në Tiranë si dhe shtetasi Alban Meshi, lindur në Has dhe banues në Tiranë, dyshohen se në bashkëpunim janë autorë të disa vjedhjeve e grabitjeve të ndodhura në Tiranë e Vorë.

Ndaj 22-vjeçarit Kacoli rëndon edhe akuza e “vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim” si dhe ajo e armëmbajtjes pa leje.

Ditën e martë, në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, Eduart Kacoli dhe Ndue Ndou kanë hapur zjarr ndaj një punonjësi të policisë i cili ishte vënë në ndjekje të dy shtetasve për shkak të veprimeve të dyshimta të tyre.

Më pas të dy këta shtetas, nën kërcënimin e armës kanë ndaluar një shtetas që po udhëtonte me motoçikletën e tij. Shtetasi me inicialet I.D. ka bërë rezistencë dhe ka mundur të neutralizojë Kacolin, deri në mbërritjen e policisë, ndërkohë që Ndou është larguar me motoçikletën e grabitur.

Ai është shpallur në kërkim dhe ditën e mërkurë është prangosur nga Policia e Pukës së bashku me shtetasin Alban Meshi, i cili akuzohet se e ka ndihmuar për t’iu shmangur uniformave blu.

Nga veprimet e para  hetimore  është arritur të dokumentohen se këta shtetas janë edhe autorë të dyshuar të disa ngjarjeve të tjera,  si vjedhja me dhunë e një magazine në Vorë, grabitja e një taksisti në Durrës dhe vjedhja me armë e një shtetasi.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi  3 aparate celulare dhe një pistoletë e tipit TT, që mendohet se është përdorur edhe ndaj efektivit të policisë në ngjarjen e së martës. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel