Merkel në korrik në Tiranë. Berlini: Shkupi të orientohet qartë drejt BE

20/05/2015 00:00

Vendi kryesor i Bashkimit Europian i kërkon Shkupit të pozicionohet qartë për orientimin integrues drejt Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier e la të nënkuptohet këtë kur gjatë pritjes së homologut shqiptar Ditmir Bushati tha se, zhvillmet e fundit në këtë vend kanë lënë dyshime për këtë.

“Shprehëm shpresën që nuk do të ketë incidente të tilla të mëtejshme dhe që gjendja jo vetëm të qetësohet, por që në Maqedoni të konsolidohet vullneti për të vazhduar rrugën drejt BE dhe jo të krijohen dyshime për këtë. BE është treguar e gatshme për të ndërmarrë përpjekje ndërmjetësuese”, deklaroi Steinmeier.

Zhvillimet në fqinjin tonë, me një popullësi mbi 30 për qind shqiptare, ishte një nga çështjet për të cilat ministri ynë i Jashtëm udhëtoi drejt Berlinit, me ftesë të homologut gjerman.

Të dy ministrat e Jashtëm ndanë qëndrimin për nevojën e transparencës mbi sulmin me armë në lagjen e Trimave në Kumanovë.

Berlini e Tirana gjithashtu ndanë po të njëjtin qëndrim kur i përsëritën Shkupit kërkesën për të shmangur shndërrimin e krizës politike në një krizë ndëretnike, që për Bushatin e Steinmeier do të kishte pasoja edhe për rajonin.

“Kriza aktuale të ndalet e të mos përshkallëzohet dhe rruga, ose busulla orientuese e Maqedonisë, sikurse e gjithë vendeve të rajonit, të vijojë të mbetet integrimi Euro-Atlantik, që bazohet në sundimin e së drejtës dhe në marrëdhënie të mira ndëretnike, siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit”, tha Bushati.

Duke thënë këtë, ministri Bushati, që informoi edhe për zhvillimet reformuese në vend, e siguroi ministrin e Jashtëm më të rëndësishëm të BE-së për qartësinë e orientimit të Shqipërisë. “Shqipëria do vijojë të jetë një partner i besueshëm i BE për të ndjekur një politikë sa më konstruktive dhe brenda kontureve të mirëpërcaktuara”, nënvizoi Bushati.

Çështja e azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë ishte gjithashtu një nga temat e diskutuara mes Bushatit e Steinmeier, për të cilën ky i fundit vlerësoi fushatën sqaruese të autoriteteve të Tiranës në bashkëpunim me ambasadën gjermane.

Përfshirë diskutimin për konferencën e ardhshme të vendeve të Ballkanit në Vjenë, Bushati e Steinmeier u takuan në Berlin në paraprirje të vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Top Channel