Mitrovicë, dëshmi shokuese ndaj Oliver Ivanoviç

20/05/2015 00:00

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut ka vazhduar të mërkurën seanca gjyqësore kundër politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe katër të akuzuarve të tjerë për krime kundër shqiptarëve gjatë viteve 1999-2000.

Dëshmitarja Vjosa Ajeti ka vazhduar dëshminë e saj përmes video-konferencës, duke thënë se ngjarjet tragjike që kanë ndodhur natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në atë pjesë të qytetit kanë qenë të mirëpërgatitura.

Ajeti ka theksuar se Ivanoviçin e ka parë disa ditë para natës kritike, me uniformë dhe me radiomarrëse. “Oliverin e kam parë duke u dhënë urdhëra të tjerëve dhe duke iu thënë se, ‘tani e ka radhën Lagja e Boshnjakëve që të pastrohet’”, ka thënë mes të tjerash Ajeti.

Ndërsa avokati i Ivanoviç, Mirolub Pantoviç është shprehur i bindur se aktakuza kundër klientit të tij, por edhe të tjerëve, deri tani nuk është vërtetuar.

Në anën tjetër, avokati i viktimave, Eron Prekazi ka thënë se ka elementë të mjaftueshëm, si nga provat, por edhe nga dëshmitarët, që Ivanoviç dhe të tjerët të dënohen. Sipas tij, dëshmitarja e sotme ka qenë shumë e qartë për të gjitha ato që ka parë natën kritike.

Trupi gjykues ka marrë vendim të martën për ndërprerjen e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve Aleksandar Llazoviç dhe Nebojsha Vujaçiç, të cilët do të mbrohen në liri, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 15 qershor.

Top Channel