Çako në Konferencën Rajonale të Interpolit, diskuton për luftën ndaj terrorizmit

20/05/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, po merr pjesë në konferencën treditore Rajonale të Interpolit që zhvillohet në Bukuresht, e cila mbyllet të enjten.

Para fillimit të punimeve të konferencës, Çako ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale. Fillimisht ai u takua me homologun e tij rumun, Petre Toba, ku u diskutua në forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, bashkëpunimin  për shkëmbimin dhe analizën e informacionit kriminal dhe bashkëpunimi për mbrojtjen e dëshmitarëve. Gjithashtu, ai u takua edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Çekisë, Tomas Tuhy.

Po gjatë së mërkurës, Çako zhvilloi një takim kortezie në Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) në Bukuresht. Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Gurbuz Bahadir.

Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi rëndësinë e qendrës SELEC,  për Shqipërinë, këtë e dëshmon edhe prezenca e Policisë së Shtetit më një oficer kontakti pranë kësaj qendre.

Objektivi i SELEC është që të sigurojë mbështetje për shtetet anëtare dhe për të përmirësuar koordinimin në parandalimin dhe luftimin e krimit, përfshirë krimin e rëndë dhe të organizuar si edhe veprimtarinë ndërkufitare.

Në këtë takim, zoti Çako theksoi se është në dobinë e shteteve anëtare bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimtarive të përbashkëta me vendet anëtarë.

Top Channel