Keti Bazhdari prezanton programin e saj për Shkodrën

21/05/2015 00:00

Pas disa takimesh intensive me grupet e interesit në sektorë të ndryshëm, kandidatja e majtë për Bashkinë Shkodër, Keti Bazhdari ka prezantuar programin e saj për zhvillimin e këtij institucioni, në një event ku i pranishëm ishte dhe zëvendëskryeminstri Niko Peleshi.

Në shpalosjen e programit, Bazhdari u shpreh se në themel të tij do jetë transparenca, zhvillimi ekonomik i Shkodrës me nisma konkrete, duke ofruar për rininë deri në moshën 25-vjeçare hapësira publike falas dhe taksë zero për vitet e para të hapjes së biznesit.

Duke folur për projekte konkrete, Bazhdari e vuri theksin në zhvillimin e zonave turistike si Velipoja, Shiroka, Zogaj, etj, duke premtuar ndërtimin e një superstrade Shkodër-Velipojë, një rrjeti i muzeumeve, rikualifikimi i hyrjes së Shkodrës dhe zonave historike, rikonstuksioni i rrugës së Dukagjinit për në Theth, ku sipas saj do të ngrihet një pistë për ski, krijimi i kampingjeve pranë liqenit të Shkodrës, si dhe ndërtimi i disa shesheve në qendrat kryesore të qytetit, përmes një projketi prej disa milonë euro në partneritet me qeverinë.

Ndërsa në lidhje me fermerët, Bazhdari u shpreh se do të krijohet një pikë grumbullimi frigoriferike dhe do të ketë politika konkrete favorizuese për bujqësisnë dhe blegtorinë.

Një pikë me mjaft interes që prezantoi kandidatja e majtë ishte projekti kundër gjakmarrjes, me premtimin se brenda dy viteve nuk do ketë asnjë fëmijë të ngujuar dhe se do të rritet akoma më shumë siguria në lagje e shkolla, duke vendosur kamera sigurie dhe sistem të integruar monitorimi.

Përsa i përket transportit, Bazhdari premtoi se do të ndërtohet terminali i ri i autobusëve i quajtur Terminali i Veriut, do të sistemohen parkingjet, do të ndërtohen mbi 75 km pistë çiklistike, do të ketë një mbeshtetje të veçantë për të gjitha sportet dhe Bashkia e Shkodrës do të shpallet “bashki eko”.

Top Channel