Kandidati Kosova: Ulje të taksave të biznesit lokal me 30%. Hapim vende pune

21/05/2015 00:00

Në një ndërmarrje fasone në Dajt, kandidati demokrat Halim Kosova vuri në dukje atë që opozita e sheh si epërsinë e kandidatëve të saj në këto zgjedhje, uljen e taksave.

Halim Kosova propozon ulje deri në 30 përqind të taksave dhe tarifave lokale. Qëllimi më kryesor, siç thotë doktor Kosova, është krijimi i çdo mundësie për të krijuar vende pune.

“Bashkia do të jetë shumë miqësore me biznesin, duke e parë këtë si një mundësi reale për punësim. Dhe punësimi është kryefjala e çdo lloj bisede, që unë kam bërë deri më sot. Një milion banorë në Tiranën e madhe do të kenë mundësi të përfitojnë aty ku ata banojnë, nga lehtësirat që Bashkia e ardhshme e Tiranës do të ofrojë”, tha Kosova.

Në një takim me banorë të njësisë 8, Halim Kosova shpjegoi përse ai dhe Partia Demokratike janë fokusuar te punësimi me propozime konkrete dhe jo me premtime boshe, që zhgënjejnë njerëzit dhe i largojnë nga vendi.

“Është shumë e rëndësishme për çdo banor të qytetit të Tiranës, që të shohë një dritë jeshile për problemet që kanë. Në këto dy vite, ju e keni parë që politika i ka rënduar hallet, është shkëputur nga qytetari dhe ka krijuar probleme, aq sa kurrë ndonjëherë më parë, përveç viteve ’90. Nuk kemi parë kaq shumë njerëz, që shpresën e tyre për të ardhmen ta kenë te valixhet dhe të nisen jashtë, pa ndonjë destinacion, vetëm të ikin nga ky vend për të gjetur një jetë më të mirë”, tha Kosova.

Halim Kosova shprehu bindjen se, më 21 Qershor, banorët e Tiranës do ta mbështesin në garën për bashkinë, si një mundësi e re për të zgjedhur njeriun, që u shërben pa interesa personale.

Top Channel