Duma: Administrator për pallatet. Komunikim i ri bashki-qytetar

21/05/2015 00:00

Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e lagjes numër 1 dhe 2 të këtij qyteti mbi mënyrën se si bashkia do të administrojë hapësirën e përbashkët për më shumë pastërti dhe siguri nëpër lagje.

Duma tha se do caktohen menjëherë administratorët e pallateve, duke hapur njëkohësisht edhe shumë vende pune, si dhe do të ketë mirëmbatje për hapësirat në lagje.

“Hapësira e përbashkët është edhe një domosdoshmëri tek hapja e mijëra vendeve të punës për atë që quhet administrator i godinës. Hapi i parë është vendosja e administratorit të pallatit, subvencioni dhe siguria. Dhe kjo, ju siguroj, nuk bëhet thjesht në letër. Bëhet duke më parë edhe ju mua kur unë unë të shkoj në dhjetëra e qindra godina që të shoh se si po zhvillohet projekti”, tha Duma.

Kandidatja demokrate premtoi se, nëse zgjidhet do të zgjidhë atë që e ka quajtur “problemi i dy dyerve” në Bashkinë e Durrësit.

“Problemi sot i Bashkisë së Durrësit është se ka dy dyer. Ka një përpara dhe një prapa dhe janë të dyja të hapura si tunel. Kështu që unë si fillim propozoj të mbyllim derën prapa. Problemi shqetësues i njerëzve që e presin për halle në pikë të diellit dhe shiut dhe ai u del nga prapa… nuk kam koment për këtë. Për simbolikë do ta mbyllim derën prapa”, tha Duma.

“Përsa i përkët transparencës, ajo është një nevojë emergjente. Është gjithashtu nevojë emergjente që me dhjetëra shkresa që lëshon tani bashkia, që i lëshon vetëm për protokoll që ka kthyer përgjigje pa ofruar asnjë zgjidhje, të ndalen. Duhet të ndryshojë komunikimi konkret”, tha Duma.

Top Channel