Britani, emigrantëve ilegalë do t’u konfiskohen rrogat

21/05/2015 00:00

Policia në Mbretërinë e Bashkuar do të mund të sekuestrojë rrogat e emigrantëve ilegalë, në kuadër të planeve të qeverisë për të frenuar kriminalitetin, që do të prezantohen javën e ardhshme në fjalimin e Mbretëreshës.

Kryeministri David Cameron do të thotë, sipas BBC, se është bërë shumë e lehtë për emigrantët e padeklaruar që të vijnë në vend dhe të gjejnë boshllëqe ligjore për të qëndruar.

Për momentin, firmat që punësojnë emigrantë ilegalë gjobiten deri në 20 mijë stërlina. Edhe laburistët deklarojnë se duhet bërë më shumë për të mbrojtur kufijtë e vendit dhe kanë apeluar për ligje që të frenojnë përdorimin e praktikave të paligjshme.

Propozimi për të trajtuar rrogat e punëtorëve ilegalë si reagim ndaj formave të ndryshme të kriminalitetit konsiderohet nga Cameron si një qasje “e rreptë, por e drejtë”.

Megjithatë, shkalla reale e sfidës me të cilën përballen ministrat për të reduktuar edhe nivelet e emigracionit legal do të ekspozohet kur të publikohen shifrat zyrtare mbi emigracionin.

Kuota neto e emigracionit u rrit në 298 mijë njësi në vitin 2014, një shifër kjo mbi nivelet e parashikuara nga konservatorët, që në zgjedhjet e vitit 2010 u zotuan se do ta reduktonin numrin nën 100 mijë.

Bëhet fjalë për një objektiv për të cilin ata vetë janë të vetëdijshëm që dështuan ta arrinin. Gjatë së enjtes, Cameron do të ndjekë nga afër përpjekjet për të luftuar emigracionin ilegal, kur do të vizitojë një zonë të Londrës që, së fundmi, është bastisur nga autoritetet e emigracionit.

Ai pritet të thotë se qeveria e tij është e vendosur të “kontrollojë dhe reduktojë” emigracionin, duke nënvizuar se kriminalizimi i punëtorëve ilegalë duhet të ecë në harmoni me masat e tjera për të ulur kërkesën për krah pune, siç është nxitja e përmirësimit të aftësive të punëtorëve vendas.

Top Channel