Kongresi amerikan nderon shkrimtarin Ismail Kadare

21/05/2015 00:00

Në një gjest simbolik të mundësuar nga ligjvënësi amerikan Eliot Engel e të rezervuar vetëm për figurat e shquara në Shtetet e Bashkuara, e ndonjëherë edhe personaliteteve të huaja, flamuri amerikan u valëvit këtë herë mbi Capitol Hill në nder të shkrimtarit Ismail Kadare.

Engel, i njohur si një nga mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara citohet nga “Zëri i Amerikës” të pohojë se, juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë, e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave krimet e kryera; duke nënvizuar se, edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale.

“Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik”, tha ligjvënësi amerikan.

Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60-vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 30 gjuhë.

Në ceremoninë  e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ia dorëzoi flamurin e valëvitur në nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Ilyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin.

Top Channel