Arrestohen djemtë e Xhaferrit, fshiheshin prej 16 vjetësh

21/05/2015 00:00

Pas gati 16 vitesh në arrati, dy djemtë e Rrapush Xhaferrit, pronarit të ndjerë të një prej firmave mashtruese të fajdeve, u arrestuan në shtëpinë e tyre, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. 

Policia tha se Përparim Xhaferri rezulton i dënuar me 9 vjet burgim nga gjykata, ndërkohë që vëllai i tij, Pëllumb Xhaferri, është i dënuar me 10 vjet heqje lirie për veprat “vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha” dhe “krijim i firmave piramidale”.

Dy djemtë e ish-kreut të firmës piramidale “Xhaferri”, të ndjerit Rrapush Xhaferri, kanë jetuar në arrati prej vitesh. Ndërkohë që i vetmi që ka vuajtur heqjen e lirisë prej gati tetë vitesh burg është vëllai i tyre, Asllan Xhaferri.

Sipas gjykatës, tre vëllezërit bashkë me të atin, i njohur ndryshe me nofkën “Gjenerali”, kanë mashtruar gati 1 milion shtetas nëpërmjet firmës piramidale, e cila u ngrit fillimisht në Lushnjë, për t’u shtrirë mandej në të gjithë vendin.

Përveç burgut, djemtë e Rrapush Xhaferrit detyrohen ligjërisht të kthejnë edhe 12 milionë dollarë dëmshpërblim, vendim që e kanë ankimuar në Gjykatën e Lartë.

Rrapush Xhaferri mbahet mend edhe si ish-president i klubit të futbollit të Lushnjës, që solli në vitin 1996 të parin trajner të huaj në Shqipëri, kampionin e botës me Argjentinën, Mario Kempes, i cili e drejtoi Lushnjën derisa edhe ky ekip u shemb bashkë me piramidën që kishte ngritur.

Top Channel