O Maqedoni o luftë?

21/05/2015 00:00

Andrea Stefani – Kanceri i Maqedonisë është urrejtja mes etnive, dhe në radhë të parë mes atyre dy kryesoreve, maqedonase dhe shqiptare.

Maqedonia, shteti i vogël që duhet të ishte projekti pilot i bashkëjetesës europiane mes kombeve në gadishullin e sherreve, luftërave dhe masakrave ndëretnike, nuk po pushon së qenë një çakmak në fuçinë e Ballkanit, mjerisht, akoma plot barut urrejtjeje nacionaliste. Duhet vetëm një dorë, një gisht, një “çak”, një shkëndijë që ajo të shpërthejë! E kur i kanë munguar duar të tilla Ballkanit?

***

Urrejtja ndëretnike është ajo që ka penguar edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo e fundit, synon të krijojë një republikë, ku të gjithë shtetasit, pavarësisht kombësisë, të ndihen të barabartë. Marrëveshja e Ohrit synon që të krijojë popullin, demosin e shtetit të Maqedonisë sipas frymës supranacionale europiane. Por demosin po e shqyejnë që në djep gjakimet, mllefet, urrejtjet nacionaliste, ndërkohë që si çdo foshnjë, edhe demosi mbikombëtar i Maqedonisë ka nevojë për kujdes e dashuri.

***

Urrejtja mes shqiptarëve dhe maqedonasve në pikëpamje sociale, ka çuar në segregacion dhe aparteid. Një maqedonas nuk shkon kurrë në një kafene shqiptarësh, një maqedonas e shmang tregtarin shqiptar sa të mundë – më thoshte një shqiptar me banim në Maqedoni. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk kanë marrëdhënie njerëzore mes tyre. Ata mund të kenë marrëdhënie formale, burokratike apo politike, por jo marrëdhënie njerëzore. Për shembull, martesa mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ekzistojnë. Këto komunitete etnike janë më keq se të ndara me mur, sepse janë të ndara në zemër. Urrejtja e ministres Jankullovska për shqiptarët që, sipas saj, u dashkan spastruar, u shfaq gjenetike në përgjimet e denoncuara nga vetë opozita maqedonase. Ajo të kujton urrejtjen e një zyrtari tipik nazist për hebrenjtë. Dhe është e frikshme kur mendon se kjo mund të jetë fryma dominuese në komunitetin maqedonas. Sepse ajo urrejtje nuk ka mundësi të jetë një dukuri e veçuar apo një psikopati e një apo dy individësh. Asnjë politikan shovinist dhe nacionalist si Jankullokvska, nuk mund të arrijë të bëjë karrierë deri në majat më të larta të politikës, nëse nuk mbështetet me votë nga një pjesë e mirë e elektoratit. Etnonacionalizmi në majat e politikës maqedonase denoncon edhe rrënjët masive të këtij etnonacionalizmi në elektoratin maqedonas. Dhe kjo e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e problemit. Kuptueshëm, një e tillë urrejtje nuk mund të mos gjejë replikën, me të njëjtën monedhë nacionaliste, në komunitetin shqiptar. Urrejtja pjell urrejtje!

***

Që të mbijetojë Maqedonia ka nevojë të deshovinistizohet. Gjëja e parë që duhet bërë nuk janë bisedimet me politikanët që mund ta fshehin etnonacionalizmin poshtë kostumeve europiane. Është urgjente që atje të kurohet sindroma e urrejtjes ndëretnike. Dhe kjo kërkon programe të fuqishme. Gabimi i komunitetit ndërkombëtar është se ka vite të tëra që ka mbyllur sytë përpara kësaj plage kanceroze që e pa mbyllur, vështirë të mos çojë një ditë në çarjen e Maqedonisë pasuar, me gjasa të forta, nga një reaksion zinxhir për tërë Ballkanin dhe vetë Europën. Ndërkombëtarët janë përpjekur ta anashkalojnë këtë çarje reale me gjoja bashkëpunimin politik, deri në nivel qeverie, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, bashkëpunim që nuk mund të jetë kurrë real sa kohë që themeli i tij, bashkëjetesa e komuniteteve etnike, nuk është reale. Jo rastësisht, edhe në rrafshin politik, shqiptarë dhe maqedonas e refuzojnë “martesën” domethënë, krijimin e partive politike multietnike. Prandaj, pavarësisht qeverive apo protestave me dy flamuj, Maqedonia tronditet kohë pas kohe, si në Kumanovë, nga llava e urrejtjes etnike që vlon poshtë kores politike. Dhe është miopi të jesh i sigurt që një vullkan i pashuar etnik të mos shpërthejë një ditë duke rrezikuar të fusë në konflikt të gjithë rajonin madje, shumë më gjerë. Prandaj nuk është gabim, edhe në kontekstin e acarimeve me Perëndimin të një Rusie përherë e më hegjemoniste, të thuash se sot ofrohen vetëm dy opsione: O Maqedoni o luftë!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel