Maqedonia kthen trupat e të vrarëve. Familjarët kërkojnë autopsi nga Mjekësia Ligjore e Kosovës

21/05/2015 00:00

Familjarët e shqiptarëve të Kosovës që janë vrarë në Kumanovë, po kërkojnë nga mjekësia ligjore në Prishtinë që të kryejë autopsinë e trupave të familjarëve të tyre, për të vërtetuar nëse janë vrarë në luftime apo pasi janë arrestuar.

Kadri Vishesella nga fshati Rufc i komunës së Lipjanit, teksa nisej bashkë me ekspertët  mjekoligjorë të Kosovës për të marrë trupin e pajetë të djalit të tij Fatlumit që ndodhet në morgun e Shkupit, tha për Top Channel se kërkon kryerjen e një tjetër autopsie për djalin e tij 32-vjeçar.

“Po nëse nuk është bërë autopsi e përbashkët me tanët dhe të tyre, kërkoj ta bëjmë edhe një. Vdekjen e tij duam ta dijmë si ka ndodhur”- thotë Kadri Vishesella, babai i Fatlumit.

Vishesella tha se ai ka qenë në Itali duke punuar kur ka dëgjuar për vrasjen djalit.

“Unë kam qenë në Itali, nuk di asgjë. E di që nënës së vet i ka thënë se po shkoj për në Shqipëri dhe nuk ka folur për një javë në telefon. Gruaja më ka thirrur dhe më ka thënë që nuk po lajmërohet në telefon. Jam detyruar me ardhë, por gjithçka kishte ndodhur”- rrëfen ai.

Familjarët e kosovarëve të vrarë janë nisur bashkë me autoritetet mjekoligjore  të Kosovës për të marrë trupat e pajetë të familjarëve të tyre.

Drejtori i mjekësisë ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu ka treguar për Top Channel se me kërkesë të familjarëve janë të gatshëm për autopsi të re për viktimat.

“Familjarët kanë shprehur dëshirën dhe kanë kërkuar mbi këtë çështje. Ata do ta bëjnë një kërkesë të cilën prokurori çdo herë e realizon sepse është e drejtë e familjarëve. Nuk është kjo hera e parë që e bëjmë, do të thotë kemi bërë edhe shumë herë tjera. Atë që mjeko-ligjorja e bënë, gjetja e dëmtimeve dhe shenjat të cilat janë karakteristike për çdo gjë. Dhe normal që ato do të përshkruhen me raport të autopsisë, me fotografi e kështu me radhë”- thotë Gërxhaliu.

Para se të niseshin për në Shkup, automjetet për bartjen e kufomave janë përgatitur në oborrin e mjekësisë ligjore me arkivole të mbuluara me flamuj kombëtarë shqiptarë.

Disa nga kosovarët e vrarë në Maqedoni kanë qenë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sipas ligjit për veteranët, ata duhet të varrosen me ceremoni ushtarake.

Kryetari i shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha përmes telefonit për Top Channel se janë duke punuar me institucionet përgjegjëse që veteranët e UÇK-së të vrarë në Maqedoni të varrosen sipas ligjit, me ceremoni ushtarake dhe në varreza të dëshmorëve.

Sipas listës zyrtare, qytetarët e Kosovës të vrarë në Kumanovë janë: Xhafer Zymeraj nga Prizreni, Beg Rizaj nga Prekolluku i Deçanit, Mirsad Ndrecaj nga Gjakova, Valon Kabashi nga Opterusha e Rahovecit, Turgaj Gashi nga Prishtina, Samid Kastrioti nga Zojzi i Prizrenit, Hysen Rushiti nga Vushtrria, Fatlum Vishesella nga Rufci i Ri i Lipjanit dhe Arben Rexhaj nga Ferizaj.

FOTO GALERI
1/4
Automjetet e transportit për trupat e pajetë të Kumanovës

Top Channel