Dako: Qendra sociale edhe në fshatra

21/05/2015 00:00

“Jemi gjithmonë në mbështetje të fuqishme për të gjithë njerëzit në nevojë, prandaj, ashtu si në qytetin e Durrësit, do të hapim qendra sociale edhe në Ishëm, Katund të Ri, Manëz, Rrashbull dhe Sukth”.

Ky ka qenë zotimi i kryebashkiakut Vangjush Dako gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Nishtullës, në qendrën komunitare që ka çelur Bashkia e Durrësit në këtë zonë.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka mbështetur këtë qendër multifunksionale komunitare për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të zonës e sidomos atij rom e egjiptian.

“Komunitetin rom e kemi patur gjithnjë përparësi. Madje, 15 familje të këtij komuiniteti i kemi strehuar në banesat sociale që kanë përfunduar. Ndërkohë, 15 familje të tjera do të strehohen në banesat e tjera sociale që janë në proces ndërtimi. Pra, janë 30 familje që strehohen në banesat sociale të bashkisë”, deklaroi Dako.

Dako, i cili garon për mandatin e tretë, shtoi se me anë të kësaj qendre komunitare në zonën e Nishtullës synohet largimi i fëmijëve nga rruga dhe orientimi i tyre drejt shkollës.

Po kështu, kryebashkiaku bëri me dije se në këtë qendër do të fillojë së shpejti një projekt për çeljen e kurseve për vegla muzikore për fëmijët e zonës, në mënyrë që ata të shfaqin talentin e tyre.

Top Channel