Veliaj, takime në njësinë 7. Banorët kërkojnë rrugë dhe legalizime të banesave

21/05/2015 00:00

Rrugët e amortizuara dhe legalizimet ishin dy problemet kryesore për të cilat banorët e njësisë 7 në kryeqytet kërkuan zgjidhje nga kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

“Në këtë rrugë jetojnë edhe të majtë, edhe të djathtë. Dy zgjidhje kemi: ose i japim mundësinë të na gënjejnë edhe një herë atyre që e kishin për 4 vite bashkinë ose ndërrojmë dhe provojmë dikë tjetër që e ka treguar me punë se është i zoti”, tha Veliaj.

“Këtu është premtuar shumë nga të majtë e të djathtë, por nuk është bërë asgjë”, thotë njëri nga banorët.

“Unë e kam treguar në ministri se nuk i kam ndarë kurrë njerëzit në të majtë e në të djathtë, u kam shërbyer të gjithëve njësoj. Arsyeja pse kam ardhur vetë, është të shikoj ku jetojnë njerëzit dhe t’i shërbej atyre siç i shërbeva në ministri”, u përgjigj Veliaj.

Sipas deputetes socialiste të Tiranës, Vasilika Hysi, në këtë zonë Lulzim Basha është zgjedhur deputet në vitin 2005 dhe ka kërkuar sërish votat në vitin 2013, por nuk ka bërë asgjë për këtë zonë.

E Veliaj, duke përdorur simbolikën e ndeshjeve të futbollit, ka thumbuar Bashën: “Dy herët e para paska bërë Luli gol, edhe kur mori votat për deputet, edhe kur mori votat për kryetar bashkie. Në datën 21 kemi ndeshjen e kthimit, ku duhet t’i bëjmë ne gol atij dhe ta çojmë në shtëpi”.

Top Channel