Mustafa: Djali im të trajtohet nga drejtësia njësoj si të tjerët

21/05/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kërkon që djali i tij Besnik Mustafa të trajtohet në mënyrë të barabartë me të tjerët para ligjit.

Këtë komente ai i bëri në Facebook, pasi mediat rikujtuan se djali i tij është i akuzuar në kohën kur Mustafa postoi një foto të përbashkët në Facebook.

“Kur drejtësia ngec, turma ngre litarët”, shkruan Mustafa në profilin e tij, ndërsa sqaron se procedura ndaj djalit të tij filloi në vitin 2009 për një garanci që ai si menaxher i departamentit të kreditimit në një bankë kishte lëshuar, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, për një kompani fluturimi.

Mustafa kritikoi mediat për fushatë linçuese, si dhe për faktin se për Besnik Mustafën vazhdimisht thuhet se është djali i kryeministrit.

Ndërsa lavdëron djalin e tij si punëtor e të urtë, Mustafa thotë se ai duhet të trajtohet i barabartë me tjerët para ligjit dhe, nëse gjendet se ka gabuar, duhet të përgjigjet para ligjit.

“Para ligjit, jo para linçuesve dhe organizatorëve të linçimit. Nëse ai ka gabuar, kjo duhet të dëshmohet në sistemin e drejtësisë. Për fat të mirë, ky sistem tani po çlirohet dhe duhet që në mënyrë të pavarur të bëjë punën e vet”, vijon kryeministri.

“Denigrimi publik dhe vënia e litarit për të varur dikë nga disa media, e më pas, edhe nga disa njerëz të shërbimeve informative është pasojë e ngecjes së drejtësisë”, përfundon statusi i Mustafës në rrjetin social.

Top Channel