Operacion i policisë, kapen 12 persona të shpallur në kërkim

21/05/2015 00:00

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 12 persona të shpallur në kërkim. Sipas burimeve zyrtare, ka nisur zbatimi i planit të masave investiguese lidhur me identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim në kryeqytet.

Të arrestuarit e orëve të fundit ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, si kanosje, armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike, vjedhje etj.

Më konkretisht; Fejzulla Gjoshi, 52 vjeç, është dënuar me dy muaj burg nga Gjykata e Tiranës në akuzën e dhunës në familje.

Çlirim Xhemollari ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje, ndërsa Ilir Vata, Fatjon Baraku dhe Armand Vokshi kërkoheshin në akuzën e vjedhjes; ndërsa Alfred Rrapo akuzohet për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.

Dy vëllezërit, Eduard dhe Alfred Ndoci ishin shpallur në kërkim për kanosje, prishje të qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje.

Një tjetër person i kapur është edhe Besnik Coka, 33 vjeç, i cili është dënuar me 30 ditë burg për drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.

Pjesë e këtij operacioni ka qenë dhe arrestimi i djemve të Rrapush Xhaferrit, Pëllumb dhe Përparim Xhaferri, si dhe ish-drejtorit të Tatimeve të Tiranës, Ismail Muça.

Top Channel