AKU, kontrolle në Vlorë; asgjësohen 1.5 tonë qumësht dhe 15 kg. salcë kosi

21/05/2015 00:00

Pas kontrolleve të nisura në mbarë vendin, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vijuar aksionin në Vlorë. Kontrollet synojnë evidentimin e cilësisë së  djathit dhe produkteve të tjera të qumështit, me qëllim evidentimin e rasteve abuzive të përdorimit të niseshtesë në këto produkte.

Sipas burimeve zyrtare të AKU, këtë të enjte inspektimet në terren vijuan me Vlorën, ku në lagjen “Çole” u konstatua në një dyqan sasia prej 15 kg. me salcë kosi, me përmbajtje niseshteje.
 
Po ashtu, në të njëjtit dyqan u gjetën dhe sekuestruan edhe 1.5 tonë qumësht, i cili mblidhej nga banorët e zonës apo fshatrat përreth dhe tregtohej në bidonë, pa asnjë lloj standardi dhe kushti higjeno-sanitar.
 
Sipas drejtorit të AKU-së në Vlorë, Renato Banushaj, subjektit në fjalë iu sekuestrua sasia e produktit dhe u gjobit me 500 mijë lekë.
 
Ndërkohë, në bashkëpunimin me Sektorin e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Shtetit, po punohet për të zbuluar vendin e origjinës, baxhon apo fabrikën që ka prodhuar salcën dhe kosin me bazë niseshteje.
 
Vetëm një ditë më parë, në një subjekt në Tiranë u gjetën dhe sekuestruan 25 kg. djathë, gjizë dhe salcë kosi me përmbajtje niseshteje.
 
“Qëllimi i inspektimeve në terren nuk është vetëm bllokimi i këtyre produkteve në dyqanet ku tregtohen, por edhe zbulimi dhe parandalimi i vendeve të origjinës së prodhimit, deri në baxhot apo punishtet e skajeve më të thella të Shqipërisë”, thekson AKU, duke apeluar ndaj qytetarëve që, për çdo rast abuzimi apo problemi me ushqimet, në dispozicion të tyre është numri jeshil 0800 75 75.

Top Channel