Mashtrimi me karburantet, Gjiknuri: Evazion përmes manipulimit të pompave

21/05/2015 00:00

Operacioni i qeverisë për të luftuar mashtrimin që u bëhet qytetarëve me cilësinë dhe sasinë e karburantit ka depërtuar deri tani në 16% të tregut.

Kreu i dikasterit të Energjisë, Damian Gjiknuri thotë se nga kontrollet e ushtruara, problematika më e madhe rezulton evazioni fiskal.

“Evazioni ka qenë i madh edhe nga manovrimet e pikave të karburantit me pompat manuale, se gjoja nuk funksiononte pompa automatike. Janë shtuar me mbi 10 për qind deklarimet tatimore në këtë periudhë, që do të thotë se po luftohet një pjesë e errët që ka të bëjë me shmangiet fiskale”, deklaroi Gjiknuri.

Gjatë dy javëve të para të aksionit janë prerë 160 mijë kupona tatimorë më shumë. Ndërsa, referuar shmangies së standardeve të cilësisë, kreu i Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, thotë se nga 200 subjekte dhe 400 mostra të marra gjithsej, 22 rezultojnë me shkelje.

“Janë kontrolluar rreth 16% e totalit të tregut dhe në total me mostrat e marra kemi vetëm 6% të produkteve me tejkalim të standardit”, thotë drejtoresha e Inspektoriatit, Ejana Xhixho.

Inpektoriati, krahas masave ndëshkimore, publikon për qytetarët edhe emrin e çdo subjekti që kryen shkelje.

Top Channel