Bisedimet Kosovë-Serbi, Beogradi rrit pretendimet

21/05/2015 00:00

Delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën ka ngritur pretendime të reja për marrëveshjet e arritura në Bruksel për telekomin dhe energjinë.

Ndryshe nga marrëveshja bazë që ishte arritur vitin e kaluar, tani Serbia kërkon që në veri të Kosovës të liçencohet kompania shtetërore serbe e shpërndarjes së energjisë.

Të njëjtën gjë pala serbe ka kërkuar edhe në telefoni, duke kërkuar nga Kosova të liçencojë si operatorë të rinj në veri të Kosovës operatorin shtetëror serb.

Por kërkesa e Serbisë ka shkuar edhe më larg, duke kërkuar që edhe operatori telefonik serb, por edhe kompania e distribuimit të energjisë, të menaxhohen nga Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda delegacionit kosovar në bisedime, se propozimi i ri i Serbisë ka befasuar edhe ndërmjetësuesit evropianë, por që deri tani nuk ka marrë një “JO” të prerë.

Ndërsa zyrtarë nga kabineti i ministres për Dialogun, Edita Tahiri, kanë bërë të ditur se pala kosovare ka kundërshtuar kategorikisht propozimet e Serbisë.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia janë ende në Bruksel, duke vazhduar diskutimet për temat e energjisë dhe telekomit dhe duke u përpjekur të gjejnë modalitete të përbashkëta për zbatim të marrëveshjeve.

Naim Rashiti, nga Grupi për Politika Ballkanike, mendon se kërkesat e reja të Serbisë nuk do të pranohen as nga pala kosovare, por as nga faktori ndërkombëtar.

“Pala serbe ka prezantuar dy herë përkufizimet për Asociacionin e Komunave Serbe, të cilat janë të papranueshme për negocim sepse ka shkuar aq larg me dëshirat e saj, saqë besoj që edhe një pjesë e madhe e faktorit ndërkombëtar nuk do t’i pranojë”, thotë Rashiti.

Sipas tij, kërkesat maksimaliste të Serbisë janë të qëllimshme para se ky vend të nisë negocimin e kapitullit për anëtarësim në vjeshtë të këtij viti.

“Tani fillon faza më sensitive e dialogut, ku para fillimit të negociatave dhe gjatë tyre, palët zakonisht shkojnë me qasje maksimaliste dhe Begradi po punon për të nxjerrë sa më shumë propozime deri në momentin e fundit, kur të vijë shtatori, kur duhet të merret dhe vendimi për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, nënvizon Rashiti.

Përveç kërkesave për ndryshim të marrëveshjeve në telekom dhe energji, Serbia javëve të fundit ka kërkuar negociata edhe për liqenin e Ujmanit që ndodhet në veri të Kosovës, por që deri tani nuk është pranuar nga pala kosovare se do të negociohet për të në Bruksel.

Top Channel