Tekstet e reja për nxënësit, jo më shumë se 3 alternativa

21/05/2015 00:00

Këtë shtator, nxënësit shqiptarë do të kenë në duar 1 deri në 3 alternativa për një tekst. Komisioni i ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Arsimit do të përzgjedhë tekstet në fund të qershorit, tekste që do të pilotohen në klasat e para dhe të gjashta.

Por çfarë kriteresh duhet të plotësojnë këto tekste para se të shkojnë në duart e mësuesve dhe nxënësve?

“Tekstet, edhe pse do paracertifikohen nga komisioni që do të vlerësojë përputhjen me standardet shtetërore, do të pilotohen për një vit në sistem dhe do t’u jepen për ndryshime periferike shtëpive botuese, që të bëjnë rregullimet përkatëse e të fitojnë më pas të drejtën e certifikimit për disa vjet. Në rastin ekstrem kur 1 ose disa tekste nuk plotësojnë standardet, atëherë në shkollë do të shkojnë 1, 2, por jo më shumë se 3 tekste alternative”, deklaroi Pëllumb Karameta, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Për lëndët ekzakte është kërkuar që të jenë modelet britanike, të cilat duhet të përshtaten dhe të përkthehen në mënyrë sa më të kuptueshme për nxënësit shqiptarë.

“Tekstet që do përdoren në sistemin tonë arsimor do të merren nga shtëpitë prestigjoze angleze, si Oxford, Pearson, Cambridge apo shtëpi që punojnë në varësi të tyre. Në këtë kontekst, botuesi shqiptar, në bazë të kontratave me këto shtëpi, do të sjellë tekstin e përkthyer, atë origjinal dhe linjën e plotë deri në fund të ciklit që nxënësit do të ndjekin në vitet në vazhdim”, nënvizoi Karameta.

Ministria e Arsimit po kërkon që përmes kësaj reforme nxënësit shqiptarë të kenë në duar tekste cilësore dhe jo të mbingarkuara. Pas pilotimit që do të bëhet gjatë këtij viti shkollor do të shihet sesa e efektshme është kjo reformë.

Top Channel