Berisha: Skandal me rimbursimin e ilaçeve; Beqaj: Ia referuam Prokurorisë

21/05/2015 00:00

Opozita në Kuvend ka denoncuar atë që quajti “supervjedhja me ilaçet e rimbursueshme”. Sipas ish-kryeministrit Berisha, që kërkoi edhe hetim parlamentar, kjo skemë ka funksionuar përmes farmacive nën pronësinë e numrit dy të Fondit të Sigurimeve të Kontrollit Shëndetësor, në bashkëpunim – sipas tij, – me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Një kryemafioz, zëvendësdrejtor i këtij instituti, bashkë me ministrin, i cili është kryetar i Fondit, kanë marrë të gjitha vulat e mjekëve. Vulosin e firmosin pa i pyetur mjekët. Mjekë, që s’janë futur kurrë në gjëra të tilla. Kanë kryer një seri veprash penale. Deri tani, ky kontroll ka verifikuar vjedhjen prej 150 milionë lekë, por kontrolli bën të ditur se vjedhja është disa herë më e madhe”, u shpreh deputeti demokrat Sali Berisha.

“Padia është bërë në Prokurori. Janë vendosur këto 5 muaj gjoba për farmacitë që nuk zbatojnë rregullat e kontratës, më shumë se ç’janë vendosur në 8 vitet e qeverisjes së tyre. Janë identifikuar farmaci fiktive dhe, po e përsëris, janë 300 milionë lekë kërkesa për rimbursim, të cilat nuk janë shlyer, sepse kanë rezultuar fiktive”, u kundërpërgjigj ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Top Channel