Blendi Klosi zë vendin e Veliajt në qeveri. Dekreti, te Presidenti Nishani

21/05/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund enigmës se kush do ta zëvendësonte Erion Veliajn në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i lënë bosh pas dorëheqjes dhe shpalljes së kandidaturës së Veliajt për Bashkinë e Tiranës.

Ai është Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili ishte edhe mes dy emrave të përfolur, bashkë me Veliajn, si kandidatë të së majtës për kryetar bashkie në kryeqytet.

Dekreti për emërimin e Klosit ka mbërritur te Presidenti Bujar Nishani, ndërsa lajmin e dha kryeministri Edi Rama pasdite, nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Blendi Klosi do të jetë ministri ynë i ri i Mirëqenies Sociale, për të çuar më tej reformat rrënjësore të nisura nga Erion Veliaj”, shkroi Rama.

Ndërkaq, Klosi ka marrë urimin edhe nga paraardhësi i tij, Veliaj. “Punë e mbarë e krahë të lehta Blend Klosit, në drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies. Sfidë dhe mundësi fantastike për t’i shërbyer vendit e njerëzve”, shkroi në Twitter Erion Veliaj.

Top Channel