Idhujt dhe të urryerit e historisë

21/05/2015 00:00

George Bush është më i urryer se Stalini; Einsteini, frymëzim më i madh për njerëzit sesa Jezu Krishti.

Përmbledhja e opinioneve të mbi 7.000 studentëve nga 37 vende të ndryshme të globit, përfshirë Argjentinën, Pakistanin, Korenë e Jugut, Italinë e Shtetet e Bashkuara, tregon se cilët perceptohen sot si më të ligjtë e historisë, e cilët si heronjtë e saj.

Adolf Hitleri, Sadam Huseini dhe Osama bin Ladeni kryesojnë listën e të urryerve. I 4-ti pas tyre vjen George W. Bush, i pasuar në vend të 5-të prej diktatorit Josif Viserianoviç Stalin. Lenini është i 7-i, pas Mao Ce Dunit, që mban vendin e 6.

Lista tjetër ka në krye, si të padiskutueshëm për nga ndikimi, Albert Einsteinin, i cili lë pas Nënë Terezën, Martin Luter Kingun dhe vetë Jezusin, për sa i takon kurorëzimit si heroi më i madh i botës.

Autorët e studimit përpiqen t’i shpjegojnë rezultatet e çuditshme të tij, me atë që e përshkruajnë si “impakti i kohës”. Stalini dhe Genghis Khan (mongol) fajësohen për një numër të madh vdekjesh, ndërsa kujtimi i Presidencës aspak popullore të Bushit është mjaft i freskët.

Të intervistuarit kanë qenë shumë kompaktë në përzgjedhjen e heronjve, e disi më të përçarë te përcaktimi i më të këqinjve, e shpjeguar kjo me faktin se, një figurë e konsideruar tepër negativ në një vend, gjetkë shihet me sy tjetër.

Ndërsa, kur bie fjala te “më të mirët e historisë”, emëruesi i përbashkët është gjetur shumë shpejt: figurat e rëndësishme dhe pozitive janë kryesisht shkencëtarë, zbulues apo njerëz që luftuan për liritë e individit dhe progresin, duke përfshirë në këtë listë Mahatma Gandin, Isak Njutonin , Budën dhe Abraham Linkolnin.

Top Channel