Trageti “Francesca”, Prokuroria e Barit nis hetimin për 6 persona

21/05/2015 00:00

Gjashtë persona janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Barit për zjarrin e rënë në tragetin “Franceska” të linjës Bari- Durrës.

Sipas mediave të vendit fqinj, të hetuarit janë dy përfaqësues ligjorë të kompanisë detare “Adria Ferries”, së cilës i përket trageti, kapiteni i mjetit lundrues, si dhe tre antarë të ekuipazhit të tij.

Incidenti ndodhi në natën mes 12 dhe 13 majit, pak kohë pasi trageti me pasagjerë në bord, kishte nisur lundrimin drejt portit të Durrësit. Pas zjarrit të rënë, trageti u detyrua të kthehet në portin e Barit, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimin për zjarrvënie. Prokurorët e çështjes kanë bërë të ditur se po hetojnë për kushtet e sigurimit dhe kontrollit teknik, si dhe dokumentacionin e lëshuar për to.

Këtë të shtunë, më 23 maj, pritet që të merren në pyetje ekspertët për të sqaruar shkaqet e zjarrit e më pas do të bëhen verifikimet përkatëse në tragetin që qëndron i ankoruar që nga dita e incidentit në portin e Barit.

Top Channel