Opozita kërkoi shkarkimin e Kuçit, Kuvendi nuk e miraton

21/05/2015 00:00

Partitë opozitare kërkuan nga kryeministri i Kosovës, që të shkarkojë ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Kërkesën për shkarkimin e tij para deputetëve, në emër të partive opozitare e paraqiti Donika Kadaj-Bujupi nga AAK, duke përmendur disa argumente për – siç tha ajo, – skandalet që kanë ndodhur në sistemin e drejtësisë.

Por, kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar si të padrejtë kërkesën e partive opozitare, për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Gjykoj se republika e Kosovës ka siguruar infrastrukturë të avancuar ligjore dhe se këtë infrastrukturë e ka ndërtuar në bazë të kontributit të vecantë të ministrisë së drejtësisë dhe z.Kuci dhe se instituvionet e pavararura sot janë në gjendje shumë më të mirë për zbatimin e drejtësisë në tërë republikën e Kosovës”, tha Vox: Isa Mustafa, kryeministër I Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka akuzuar ministrin Kuçi, për dështim në menaxhimin e drejtësisë në Kosovë. Haxhiu ka përmendur edhe skandalin në Qendrën Klinike Universitare, ku kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, së bashku me disa nga të akuzuarit e rastit të Drenicës, u arratisën për 3 ditë.

Akuzave të opozitës për sistemin e Drejtësisë në Kosovë, Kuçi iu është përgjigjur duke thënë se nuk mund të ketë gjyqësor të fuqishëm, nëse edhe institucionet e tjera në vend nuk janë të fuqishme. Kuçi tha se, disa të burgosur do t’i trajtojë si heronj, për aq sa këtë t’ia lejojë ligji.

“Për ne, disa kanë për të qenë heronj, edhe nëse dënohen me 100 vite burgim. Kurrë mos prisni, se do t’i trajtoj njësoj me të tjerët. Ua them publikisht, që kurr nuk do t’i trajtoj njësoj, por jo të lejoj të shkelen ligjet”, ka thënë Kuçi.

Debati nuk la jashtë as çështjen e Gjykatës Speciale, duke e akuzuar Kuçin, si një ndër përgjegjësit kryesorë të themelimit të gjykatës. Duke komentuar krijimin e Gjykatës Speciale, ministri Kuçi rikujtoi deputetët se, janë ata që kanë në dorë themelimin ose jo të kësaj gjykate, duke theksuar se ai vetë nuk ka të drejtë vote.

“Mua me Gjykatën Speciale më lidhin tri aspekte: interesi i vendit, mbrojtja e luftës dhe puna ime si ministër i Drejtësisë. Gjykata Speciale nuk do të funksionojë pa marrë votat tuaja. Ja ku jeni të nderuar deputetë, fatmirësisht unë nuk kam të drejtë të votoj.  Ju bëj thirrje që asnjë vendim, që dëmton imazhin e luftës sonë të drejtë, që dëmton sovranitetin e shtetit, që dëmton drejtësinë e vendit, kurrë mos ta votoni, absolutisht. Është e drejta juaj dhe do të keni mbështetjen time të plotë”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Ministri Kuçi shtoi se, asnjëherë nuk ka punuar mbi baza partiake, duke theksuar se, si ministër ka arritur t’i sjellë drejtësisë 100 milionë euro nga donatorët.

Rezoluta e propozuar nga opozita për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk është miratuar gjatë votimin, për shkak se mori 22 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim.

Top Channel