Kuvendi, debate në lidhje me shndërrimin e FSK-së në FAK

21/05/2015 00:00

Ministri i FSK-së, Haki Demolli ka mohuar se, në kuadër të ushtrisë së Kosovës, do të krijohet një batalion i veçantë për serbët.

Gjatë seancës së Kuvendit, ai tha se nuk do të pajtohej me një propozim të tillë në cilësinë e ministrit, pavarësisht se nga kush vjen. Duke iu përgjigjur interesimit të opozitës, ministri i FSK-së premtoi se qeveria do t’i procedojë amendamentet kushtetuese për krijimin e Forcave të Armatosura, javën e ardhshme.

“Jam i bindur thellësisht, bazuar edhe në marrëveshjen me kryeministrin, se qeveria do t’i shqyrtojë mbledhjen e radhës dhe më pastaj do t’ia procedojë Kuvendit. Mua si ministër nuk më është bërë një kërkesë apo propozim i tillë. FSK-ja aktuale reflekton dhe do të reflektojë konform dispozitave shumëllojshmërinë etnike të popullatës, duke rekrutuar pjesëtarë edhe nga grupet etnike”, tha Haki Demolli, ministër i FSK-së.

Incidenti në Kumanovë ka qenë sërish temë e ngritur nga deputetët kosovarë. Labinote Demi Murtezi kërkoi që Kosova, të paktën të dërgojë ndihma për familjet, që kanë pësuar dëme nga ngjarja.

Edhe në këtë seancë nuk kanë munguar përplasjet mes kreut të Kuvendit dhe opozitës. Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli ftoi Prokurorinë e Shtetit, që të hetojë pagesën që bën diaspora kosovare për kartonin e gjelbër, kur hyn në Kosovë.

“Përfitimi i 200 eurove nuk janë vetëm çështje e një debati parlamentar, por çështje urgjente e Prokurorit të Shtetit. Në emër të mërgimtarëve, që paguajnë çmime marramendëse, ftoj prokurorin të fillojë hetimet. Aktorët e krimit janë të njohur, midis tyre zoti Pacolli dhe vëllai i ministrit të Jashtëm, Gani Thaçi. Shuma e krimit prej 200 milionë eurosh është në raportin e BQK-së”, tha Faton Topalli, deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Shumë akuza po bëni këtu, kurrë nuk shkoni në Prokurori, sepse e keni për konsum t’i ofendoni njerëzit”, tha Kadriu.

Top Channel